YouPost

Letra e një maturanti për Tiranapost që ka një ide se si mund të zhvillohet mësimi këtë vit

Letra e një maturanti për Tiranapost që ka një ide se si

Ende nuk ka një vendim final se ç`do të bëhet me shkollat në Shqipëri. Nëse do t`i japin dyert për vitin e ri shkollor apo mësimi do zhvillohet online. Tiranapost.al u ka dhënë mundësinë të gjithë nxënësve, mësuesve apo prindërve të hedhin idetë e tyre, në pamundësi të një përgjigjieje konkrete. Në kutinë e mesazheve ka mbërritur letra e një maturanti që e ka një ide se si mësimi mund të organizohet.

“Mendoj se shkollat duhet të hapen, sepse online s’arrihen as objektivat minimale. E di që duket e vrazhdë si shprehje, po për arsimin ia vlen çdo gjë.

Unë jam maturant këtë vit dhe lëndët me zgjedhje duhet të bëhen patjetër në shkollë, por që lëndë si fizkultura që s'i intereson një profili të caktuar, duhet të hiqen nga kurrikula. Unë jam dhe për mësim online në këto kushte, por jo më shumë se 2 herë në javë dhe lëndët që do bëhen këto ditë, javën tjetër të bëhen në shkollë.

Unë shkollën e kam afër, por ka shumë që jetojnë në periferi dhe nëse mësimi bëhet me turne për ata do të jetë shkatërrues. Shkolla ime ka 31 klasa dhe +1000 nxënës dhe të përdoren shkolla 9 vjeçare për gjimnazistët nuk është zgjidhje, sepse dhe ata humbasin formimin bazë.

Po mos t'ia hedhim dhe fajin qeverisë, sepse duam s’duam në këtë situatë mësimi s’do bëhet normalisht dhe çfarëdolloj skenari të zbatohet do ketë pro dhe kundër, por shpresoj të përshtatemi”, shkruan maturanti.

Po ju çfarë mendoni? Mund t`i shkruani opinionet tuaja në [email protected] ose në faqen zyrtare të Facebook dhe Instagramit dhe ne do t`i postojmë në formë artikujsh.