YouPost

Për 'Fëmijërinë e vjedhur'

“Feminizmi nuk ka të bëjë me forcën e femrave. Femrat si natyrë janë të forta, por ka si qëllim të ndryshojë mënyrën se si bota e percepton forcën” G.D. Anderson

Për 'Fëmijërinë e vjedhur'

Nga Blerina Ruka/ Kohë trazirash shpirtërore, por ndryshe nga çdo kohë tjetër këtë herë nuk u gëlltit turpi me bukë.

Nuk munda të jem në protestë, por sërish mund ta ngre zërin. E ndoqa sot me mjaft interes tubimin e thirrur nga shoqëria civile, aktivistë dhe qytetarë për t'iu bashkuar thirrjes paqësore kundër fenomenit të përdhunimit. Në pamundësi për të qenë fizikisht atje, jam solidarizuar sa herë ka qenë e nevojshme se femra duhet ta ngrejë zërin kur dhunohet. Atje pashë shumë, por duhet të jemi edhe më shumë së bashku, djem, baballarë, vëllezër për t’i dhënë zemër atyre qindra të tjerave që nuk denoncojnë dot, për shkak të frikës që vetëm dhunën njeh si gjuhë.

Kur dhunohet apo përdhunohet një vajzë, një grua, një nënë është trondiur një jetë, një familje, një shoqëri.

Në Tiranë u protestua për të gjithë fëmijët e vajzat që u është vjedhur fëmijëria, kundër abuzimit, përdhunimeve e dhunës.

Çdo 7 sekonda në botë, një vajzë me moshë më të vogël se 15 vjeçe martohet, shpesh e detyruar nga prindërit, në një martesë me një burrë shumë më të madh në moshë. Çdo vit janë rreth 15 milionë vogëlushe- nuse dhe 4 milionë prej tyre nuk i kanë mbushur 15 vjeçe. Sipas raportit të titulluar “Fëmijëri e vjedhur”, e prezantuar nga ‘Save The Children’ shpjegohet se martesat e parakohshme kanë efekt shkatërrues në jetën e vajzave të vogla, të cilat detyrohen të heqin dorë nga fëmijëria e tyre dhe nga shkolla, pasi duhet të mbajnë familjen. Vogëlushet- nuse rrezikojnë edhe nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme apo të dhunës në familje, çka çon në vdekjen e shumë prej tyre.

Por për t’iu rikthyer tubimit të sotëm, si rrallëherë shoqëria civile ngriti zërin e një kauzë që zërin kish humbur.

'Për fëmijërinë e vjedhur', "Mbroni vajzat, jo pedofilët', 'Pse nuk raportojmë', 'Marshoj për vajzën dhe mbesat e mia', 'Mos përdhuno' ishin disa nga sloganet dhe pankarta që qytetarët mbanin në duar.

Femrës i ish dhunuar figura, prishur dinjiteti, zvogëluar integriteti, harruar dëshira e jetës dhe kuptimi i së ardhmes. Mendësi që duhet të luftohet, trauma që thellohet gjithë jetën. Heshtja e tyre është me fortë se fjala… Viktima kurrë nuk ëhstë fajtore, në asnjë moment, në asnjë rrethanë.

Adhuroni të shihni një vajzë të re e cila del jashtë dhe e kap botën nga jaka e xhaketës.

Mirënjohje të gjithëve që jeni aty dhe kuptoni rëndësinë e familjes dhe të padrejtësive, në një marshim pa ngjyrim politik, kaq qytetar e mjaft fisnik.

Për 'Fëmijërinë e vjedhur'
Blerina Ruka

Tiranapost.al