Pedagogia që i hyri politikës 7 vite më parë! Kush është ministrja e re e Arsimit, Evis Kushi

“Kam punuar për 23 vite në Arsim dhe prej 7 vitesh jam e angazhuar në PS”. Kjo ishte një pjesë nga deklarata që ministrja e re e Arsimit, Evis Kushi, 44 vjeç, bëri sot krah paraardhëses së saj, Besa Shahinit dhe kryeministrit Edi Rama.

Deputetja socialiste ka qenë pedagoge, kur vendosi që të hynte në fushën e politikës. Ajo është diplomuar në vitin 1997 për Administrim-Biznes në Universitetin e Tiranës. Në 2008 ka marrë gradën shkencore Doktor (PHD) në Ekonomiks në Universitetin e Staffordshire në Angli. Dy vjet më vonë mori titullin “Profesor i Asocuar,” në Universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit dhe më pas “Profesor” në Universitetin Bujqësor.

Nga viti 1998 deri në vitin 2013 ka qenë lektore në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan. Në vitin akademik 2008-2009 ka qenë lektore në Universitetin Shtetëror të Tetovës, Fakulteti Ekonomik, Maqedoni. Në vitet 2012-2013 ka qenë dekane e Fakultetit Ekonomik në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan.

Ajo u zgjodh deputete e Partisë Socialiste në vitin 2013 për qarkun e Elbasanit dhe është anëtare në Komisionin për Ekonominë dhe Financat.

Ajo është autore dhe bashkautore e botimeve të ndryshme shkencore në fushën e marketingut dhe turizmit. Tashmë përpara saj është një sfidë e re, të drejtojë ministrinë e Arsimit. Evis Kushi është e martuar dhe ka dy vajza.
