Aktualitet

Rusia pretendon se ka gati vaksinën e koronavirusit, ekspertët të shqetësuar. Reagon ambasada në Tiranë

Rusia pretendon se ka gati vaksinën e koronavirusit, ekspertët të

Ditën e sotme nga Rusia u tha se vendi do të ketë e para vaksinën kundër Covid, për çështje ditësh. Lajmi u dha nga Presidenti rus Vladimir Putin në televizionin shtetëror, i cili njoftoi se u regjistrua vaksina e krijuar nga Instituti Gamaleya me seli në Moskë i testuar prej dy muajsh dhe se edhe vajza e tij e kishte bërë vaksinën pasi kishte përjetuar temperaturë, dhe tani është në gjendje shumë të mirë.

Lidhur me këtë lajm që pushtoi faqet e para të mediave ndërkombëtare, ka reaguar edhe ambasada ruse në Tiranë ku tregon se vaksina është gati dhe në shtator pritet të vaksinohet personeli mjekësor dhe pedagogjik, ndërsa për popullatën do të jetë e disponueshme nga janari i vitit që vjen.

Deklarata e plotë nga ambasada ruse në Tiranë:

Presidenti Rus Vladimir Putin ka njoftuar sot për regjistrimin e vaksinës ruse kundër koronavirusit. Ajo ka kaluar të gjitha kontrollet e nevojshme, ndërsa tani pritet përfundimi i fazës së tretë të testimeve. Që nga muaji shtator parashikohet vaksinimi i personelit mjekësor dhe pedagogjik, kurse për grupet e tjera të shtetasve ajo pritet të jetë e disponueshme nga janari 2021.

Ndërkaq, kanë ardhur reagimet e para të ekspertëve të cilët thonë se në Rusi po bëhet eksperiment me njerëzit dhe se lancimi i vaksinës tani pa ditur efektet dhe vetëm që të dalë vendi i parë është marrëzi.

“Rusia në thelb po kryen një eksperiment me një pjesë të madhe të popullatës,” thotë Ayfer Ali, specialiste e hulumtimeve për ilaçet pranë shkollës Warwick të Biznesit në Britani.

Më shumë se gjashtë kompani farmaceutike në të gjithë botën janë në proces të kryerjes të provave të avancuara tek njerëzit për të parë suksesin e vaksinës dhe nëse ka efekte anësore. Kurdo që të dalë, vaksina tashmë është bërë pjesë e politikës dhe konkurrencës, më shumë sesa një shpëtim ndaj kësaj pandemie.