Shqiptarët në botë

Mes ekspertëve italianë është dhe një infermiere shqiptare: Qava nga emocioni kur mësova se do vij këtu

Mes ekspertëve italianë është dhe një infermiere

7 ekspertët italianë mbërritën me avionin e Guardia di Finanza në Rinas, të cilët për dy javë do të asistojnë kolegët shqiptarë për përballimin e situatës së koronavirusit. Me vete kanë sjellë edhe 500 mijë maska profesionale. Por surpriza është një infermiere mes tyre me origjinë shqiptare. Quhet Eni Bardhi dhe ka ikur që në moshën 10 vjeçe nga Shqipëria.

Në intervistë për mediat ajo ka treguar se kishte qarë nga emicioni kur kishte mësuar se do të vinte në Shqipëri për të ndihmuar.

"Quhem Eni Bardhi dhe jam infermiere në Lodi. Kam ikur që 10 vjec nga Shqipëria. Mundësia që më dha shteti më ka emocionuar shumë për dy arsye. Për atë që po bëj dhe për vendin ku po e bëj.

Qava nga emocioni kur mësova se do vijë në Shqipëri. I tregova familjes time dhe e priti shumë mirë. Janë persona që nuk e harrojnë vendin e tyre. Është një kënaqësi e dyfishtë për ta. Shpresoj të ndihmoj spitalin ku do të punoj. Mesazhi im është se siç kaloi koronavirusi në Itali do të kalojë edhe në Shqipëri."

Ministrja e Shëndetësisë priti ekipin nga Italia në Aeroport të cilët i falenderoi.

‘Dua t'ju falenderoj. Dihet që në këto moment, të gjitha vendet kanë kuptuar, që ky virus nuk luftohet i vetëm. Gjej rastin t'ju falenderoj me zemër. Është një ndihmë që e dimë se vjen natyrale. Të shpresojmë që të gjithë së bashku të mundim COVID-19. Nuk ka një strategji perfekte, por ka ekspertizë për të luftuar virusin e rrezikshëm’

Kujtojmë se Shqipëria dërgoi dy grupe mjekësh dhe infermierësh në Itali për të ndihmuar kolegët e tyre, në kohën kur spitalet ishin të tejmbushura me pacientë dhe shifrat ditore të viktimave ishin alarmante.