Aktualitet

Kaos në Kakavijë, Ministria e Jashtme: Jemi në kontakt me palën greke, presim që ta hapin kufirin edhe gjatë natës

Kaos në Kakavijë, Ministria e Jashtme: Jemi në kontakt me

Ministria e Jashtme reagon sërish lidhur me situatën e krijuar në pikën kufitare të Kakavijës, ku si pasojë e kryerjes së testit për Covid janë krijuar radhë kilometrike dhe për ditë rresht janë të pritje për të kaluar kufirin fëmijë e të moshuar.

Ministria thotë se qëndron në kontakt të vazhdueshëm me palën greke, e cila ka rritur kapacitetet testuese dhe po bisedohet që të vijohet edhe në orët e natës. Aktualisht pala greke prej një jave ka mbyllur kufirin gjatë natës dhe gjatë fashës orare 22:00-6:00 askush nuk lejohet që të kalojë në anën tjetër.

Njoftimi i plotë:

Pas vendimit të autoriteteve greke për të kërkuar vetëizolim 7 ditor dhe çertifikatë të testit negativ për të gjithë shtetasit që kalojnë nga Shqipëria në Greqi duke nisur nga data 17 gusht, gjatë dy ditëve të fundit ka patur një fluks të shtuar qytetarësh në pikat e kalimit kufitar.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme është vënë në kontakt të menjëhershëm me palën greke dhe fillimisht u bë i mundur shtimi i testimeve të kryera në pikat kufitare prej 200 testimesh në orë, ndërsa në këto momente është arritur të realizohen 330 testime në orë.

Testimi vazhdon pa ndërprerje, për të gjithë qytetarët që kërkojnë të kalojnë nga Shqipëria në Greqi. Ndërkohë, nga autoritetet greke na është premtuar shtimi i metejshëm i kapaciteteve testuese në oret në vijim.

Po ashtu, jemi në bisedime për të zgjatur orarin e punës në pikat kufitare, në mënyrë që qytetarët të mund të kalojnë edhe në orë e vona të natës.

Nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Mbrojtjes kanë vendosur në dispozicion të qytetarëve të bllokuar në rradhë disa ekipe mjekësore dhe autoambulanca, si dhe shërbime higjenosanitare.

Ne vazhdojmë të jemi në kontakt të vazhdueshë me palën greke dhe shpresojmë që situata të shkojë drejt një zgjidhje sa më të shpejtë.