Aktualitet

Festa që shkakton gjithmonë fluks në kufi. Në radhën kilometrike edhe qytetarë të shumtë grekë

Festa që shkakton gjithmonë fluks në kufi. Në radhën

Në 24 orët e fundit në kufirin e Kapshticës kanë dalë 4518 shtetas të huaj dhe shqiptarë. Radha prej 4 netësh pranë kufirit grek ka shkaktuar një situatë kaotike të permasave të paprecedenta. Në radhë ka qytetarë që punojnë në Greqi dhe rrezikojnë të humbasin punën, të tjerë me probleme shëndetësore, dhe nga ata që kanë vendosur të shkojnë me pushime. Vargu kilometrik me makina është shtrirë deri në 25 kilometra në aksin nacional Gjirokastër-Kakavijë nga fshati Grapsh deri në fshatin Vrisera.

Por siç raportohet në media, mes turmës me shqiptarë ka dhe shumë qytetarë grekë të cilët kanë kaluar disa ditë në Shqipëri për turizëm dhe duke takuar miq të tyre shqiptarë.

Sot është festa Shën Maria dhe kjo ka bërë që të gjithë qytetarët grekë të nisen përnjëherësh për të kaluar kufirin e për të festuar me familjarë të tyre, por duke shtuar akoma më shumë fluksin.

Situata përsëritet çdo muaj gusht në këtë datë. Festa e Shën Marias është një prej festave më të rëndësishme të kalendarit ortodoks, pas Krishtlindjes dhe Pashkëve.

Ndërkaq, pala shqiptarë mësohet se po punon në 5 sportele ndërsa pala greke vetëm me 3 sportele dhe me dy mjekë, të cilët marrin tamponet e mijëra qytetarëve që me gjasë edhe sonte do të kalojnë natën të bllokuar në rrugë! Pati bisedime mes palës shqiptare dhe greke që orari i punës të zgjatej po ashtu të shtohej numri i mjekëve që marrin tamponë, por deri më tani nuk ka asnjë ndryshim nga tre ditë më parë.