
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, po e gjen gjithnjë e më të vështirë të distancohet nga një sërë skandalesh korrupsioni që përfshijnë aleatët e tij më të afërt politikë.
Rastet e korrupsionit vazhdojnë të godasin kryeministrin spanjoll Pedro Sánchez, pasi ish-ministri i Transportit dhe një nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, José Luis Ábalos, u dënua të hënën e djeshme me 24 vite burg për manipulimin e kontratave publike për maska mbrojtëse dhe furnizime të tjera mjekësore, në këmbim të ryshfeteve gjatë kulmit të pandemisë së Covid-19.
Gjykata Supreme e Spanjës e shpalli ish-ministrin fajtor për ryshfet, përvetësim fondesh publike dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale. Ndërkohë, ish-këshilltari i tij, Koldo García, u dënua me 19 vite burg për rolin e tij në skemën korruptive.
Në një lëvizje surprizë, gjykata pezulloi dënimin me katër vite e gjysmë burg dhe gjobën prej 3.7 milionë eurosh ndaj biznesmenit Víctor de Aldama, duke vlerësuar bashkëpunimin e tij me prokurorët dhe gatishmërinë për të dorëzuar dokumente kyçe mbi mënyrën e funksionimit të skemës.
Gjatë procesit gjyqësor, Aldama pretendoi se një pjesë e fitimeve të përvetësuara ishte kanalizuar drejt Partisë Socialiste dhe madje tentoi të implikonte edhe vetë kryeministrin Sánchez, por nuk arriti të paraqiste prova që mbështesnin akuzat e tij.
Duke kritikuar lehtësinë e treguar ndaj Aldamës, ministri i Transportit, Óscar Puente, reagoi në rrjetin social X: "Shikoni, fëmijë! Nëse kryeni krime, por më pas silleni mirë dhe bashkëpunoni, falja do të vijë. Madje nuk do të shkoni as në burg."
Dënimi i Ábalosit, më i rëndi i dhënë ndonjëherë ndaj një ish-ministri në Spanjë, përbën një goditje të fortë për Sánchez, i cili e kishte promovuar atë në poste të larta si në Partinë Socialiste, ashtu edhe në dy qeveritë e tij të para.
Kryeministri spanjoll po përpiqet të shkëputet nga numri në rritje i skandaleve të korrupsionit që përfshijnë bashkëpunëtorë të afërt politikë, familjarë dhe persona të tjerë të rrethit të tij të ngushtë.
Menjëherë pas shpalljes së vendimit, lideri i opozitës dhe kreu i Partisë Popullore, Alberto Núñez Feijóo, kërkoi dorëheqjen e Sánchez.
"Kryeministri mban përgjegjësi politike për korrupsionin e ministrave të tij. Njeriu i tij më i besuar, kujdestari dhe krahu i djathtë i regjimit Sánchez, është dënuar," deklaroi ai.
Megjithatë, Feijóo tha se nuk do të ndërmarrë një mocion mosbesimi në Parlament, pasi nuk beson se do të sigurojë shumicën e nevojshme. Nga ana e tij, Sánchez ka deklaruar se synon të qëndrojë në pushtet deri në vitin 2027, kur përfundon mandati aktual parlamentar.
Edhe aleatët parlamentarë të Sánchez kanë nisur të shprehin dyshime. Gabriel Rufián, nga e Majta Republikane e Katalonjës, vuri në pikëpyetje nëse ka ende kuptim që kryeministri të qëndrojë në detyrë, ndërsa partia e tij po identifikohet gjithnjë e më shumë me korrupsionin.
"Çfarë kuptimi ka të rezistosh vetëm për hir të rezistencës? Të qeverisësh nuk do të thotë të mbijetosh politikisht", shkroi ai në X.
Sánchez dikur e konsideronte Ábalosin një nga aleatët e tij më të afërt. Kur garda e vjetër e Partisë Socialiste e detyroi të largohej nga drejtimi i partisë në vitin 2016, Ábalos mbeti një mbështetës besnik dhe e shoqëroi në fushatën për rikthimin në krye të partisë.
Pas rikthimit të Sánchez në drejtimin e socialistëve në vitin 2017, Ábalos mori poste të rëndësishme partiake dhe u bë një nga figurat kyçe të qeverisë, duke drejtuar ministrinë e Transportit, një portofol me ndikim të madh mbi kontratat publike.
Sipas vendimit të gjykatës, gjatë kohës që mbante këtë post, Ábalos përvetësoi fonde publike për të marrë me qira ose blerë prona të ndryshme dhe për të mbuluar shpenzime personale.
Sánchez është përpjekur të distancohet nga ish-ministri që prej vitit 2021, kur ai u largua nga qeveria dhe drejtimi i partisë. Pas arrestimit të Ábalosit në fillim të këtij viti, kryeministri deklaroi se, edhe pse dikur kishte pasur "besim politik" tek ai, "nga pikëpamja personale ishte totalisht një i panjohur".
Megjithatë, këto deklarata nuk kanë arritur të zbusin perceptimin për korrupsion brenda Partisë Socialiste dhe rrethit të ngushtë të Sánchez, sidomos pas akuzave të ngritura muajin e kaluar ndaj ish-kryeministrit socialist José Luis Rodríguez Zapatero për pastrim parash dhe vepra të tjera penale, si edhe pas kontrollit të fundit në selinë e partisë në kuadër të një hetimi të veçantë për mashtrim.
Në një deklaratë, zyra e kryeministrit tha se qeveria "i dënon pa asnjë mëdyshje sjelljet që kanë shkelur qartë këto parime" dhe mbetet "e përkushtuar për të ndërtuar një Spanjë shembullore, ku korrupsioni as nuk lavdërohet dhe as nuk tolerohet".