Stil jete

“Sindroma e motrës së madhe” i referohet një gjendjeje psikologjike që prek vajzat e para të lindura në familjet me më shumë se një fëmijë. Por çfarë nënkupton saktësisht?

Nuk bëhet fjalë për një sindromë të njohur zyrtarisht nga komuniteti shkencor si gjendje klinike, por është një shprehje që përdoret për të përshkruar presionet dhe përgjegjësitë që shpesh u ngarkohen motrave të mëdha.

Motrat e mëdha, duke qenë të parat që lindin, shpesh përfundojnë duke marrë një rol përgjegjësie ndaj vëllezërve dhe motrave më të vegjël. Kjo mund të përfshijë detyra praktike, si kujdesi për më të vegjlit, ndihma me detyrat e shkollës dhe shërbimi si model sjelljeje.

“Është e vërtetë që kur psikologët përgatisin genogramin, një teknikë që gjurmon llojet e marrëdhënieve që krijohen në një familje, thuhet se roli familjar dhe pozicioni që ne kemi, ndikon në zhvillimin e një modeli karakteristikash sjelljeje”, tha për El País psikologia Ana Gómez.

“Ndonjëherë motrat më të mëdha detyrohen të shqetësohen për një sërë gjërash që nuk janë të përshtatshme për moshën e tyre. Kjo, kur shkon në ekstrem, bëhet një problem kur prindërit nuk e përmbushin rolin e tyre në familje dhe u kërkojnë fëmijëve funksione të caktuara në mënyrë të nënkuptuar ose të drejtpërdrejtë”, vazhdoi specialistja. “Mesazhe si ‘kujdesu për vëllain tënd, mbroje, mos lejo t’i ndodhë asgjë’ dhe tendenca për t’i fajësuar kur ndodh diçka, mund të bëhen një barrë shumë e rëndë për t’u mbajtur.”

Edhe pse edhe vëllezërit më të mëdhenj meshkuj mund të shfaqin sjellje tipike të kësaj sindrome, është gjinia femërore ajo që preket më shumë nga kjo formë e “adultizimit” të hershëm. “Ky fenomen prek kryesisht gratë sepse inkurajohet nga familja. Rolet e kujdesit u caktohen që në moshë të vogël, si kur një motre të madhe i jepet përgjegjësia të mbikëqyrë më të vegjlit në park ose të dijë si t’u ndërrojë pelenat. Sot e kësaj dite, këto detyra ende nuk u kërkohen vëllezërve meshkuj”, shpjegoi María Gijó.

Një situatë që, megjithatë, po ndryshon ngadalë. Prindërit po mësojnë të vendosin kufij dhe ky është një hap i madh përpara, edhe pse ka ende shumë rrugë për të bërë.