
Në një shënim prekës, aktivistja Vilma Dule ka shpjeguar pse është në anën e protestuesve. Ka publikuar një video call me babain e saj që i lutet të kthehet në shtëpinë e tij pas 13 viteve mungesë dhe brengën e saj sepse nuk mundet.
Vilma Dule është viktimë e një sulmi me acid, të ndodhur 13 vjet më parë, në Tiranë, përgjegjësit e të cilit nuk u gjetën kurrë.
“Në këto 9 vite aktivizëm, në këtë faqe ju keni njohur anën time më të fortë. Keni njohur vajzën që nuk donte të identifikohej si viktimë e një sulmi me acid, por si një njeri me emër dhe mbiemër: Vilma Dule. 🌱
Kam zgjedhur gjithmonë të jem më e fortë se urrejtja, më e fortë se padrejtësia, më e fortë se frika. Nuk ju kam gënjyer asnjëherë. Kam qenë ajo që keni parë. Keni lexuar atë që kam menduar vërtet. Keni ndjerë atë që kam besuar vërtet.
Ja pse duhet t’ju rrëfej që prej fillimit të kësaj proteste, prej 24 ditësh, lotët nuk më ndalen.
Qaj kur shoh një video nga protesta. Qaj kur mendoj për gjithë lodhjen, dhimbjen dhe padrejtësitë që, ashtu si unë, shumë shqiptarë i kanë përballuar të vetëm.
Pa shtet.
Pa polici.
Pa drejtësi.
Qaj kur eci në rrugë dhe dëgjoj një këngë shqip. Qava edhe dje, kur po flisja me babin në videocall. Pas gati 13 vitesh larg Shqipërisë, ai po më lutej të kthehesha.
Më thoshte: “Vilma, kthehu. Hajde, po të pres”. Po qaj edhe tani, ndërsa shkruaj këto fjalë. Nuk e di nëse një ditë do ta gjej forcën të kthehem. Por ndoshta forca do të më gjejë mua, kur të vijë momenti i duhur.
Ashtu siç ju gjeti juve, që protestoni çdo ditë në shesh. Ashtu siç gjeti çdo shqiptar, kudo në botë. Boll kemi duruar.
Nuk duam më të jemi gjithmonë të fortë. Duam të jetojmë në paqe.
Duam të kthehemi në vendin tonë dhe të ndihemi më në fund në SHTËPI.
Sot më shumë.”, shkruan Vilma.