Ç’po ndodh në Kakavijë në të vërtetë, gazetari i Euronews Albania: Dogana nuk është mbyllur por pas çdo 20 makinash ka një ndërprerje

Mediat në Tiranë po raportojnë lajme disi konfuze rreth situatës në Kakavijë edhe për shkak të taktikave të çuditshme të palës greke. “Tiranapost.al” ka kontaktuar me telefon gazetarin e “Euronews Albania”, Renaldo Salianji, i cili ndodhet në vendngjarje dhe sqaron çfarë ndodh në të vërtetë atje.
Gazetari Renaldo Salianji na tha se, pala greke vijon punën duke lejuar hyrjen në grupe prej 20 makinash, ku i nënshtrohen tamponit dhe kontrollit të dokumenteve të gjithë pasagjerët. Pas çdo 20 makinash ka një ndërprerje, për shkak të kohës që merr kryerja e të gjitha procedurave.
“Jo, nuk është mbyllur Kakavija, por pala greke bën mbyllje dhe hapje pas çdo grupi makinash që kalojnë. Kjo bëhet për çdo 20 makina", tha gazetari Salianji.

Në orën 20:00 radha e makinave që prisnin të kalonin pikën kufitare të Kakavijës ishte ulur në gati 7 km gjatësi, nga 20 km që u raportua paraditen e sotme. Ndërkohë në pritje ka emigrantë që ndodhen aty prej mbi 2 ditësh.
Mediat në Tiranë raportuan më herët se Greqia mbylli doganën në orën 22:00, për ta rihapur pas tetë orësh, në 6:00.