25 Rreshtat e Mirës

Kakavija si lakmuesi i lidershipit politik në Shqipëri. Qeveria lëviz me vonesë, Basha nuk lëviz fare

Kakavija si lakmuesi i lidershipit politik në Shqipëri. Qeveria

Fati i shqiptarëve në Kakavijë qoftë edhe për pak përgjegjësi qytetare, është sot barrë e institucioneve.

Askush nuk bën me faj qeverinë shqiptare për vendimet (edhe në kushtet e pandemisë) që Greqia merr apo për mënyrën sesi procedon çdo verë apo festa në kufi. Sot gjykohet qasja ndaj një problemi dhe reagimi që në minutën e parë.

Në ngjarje si këto opozitat e kanë më të lehtë të reagojnë për shkak se nuk e kanë gojën e lidhur siç shpesh ndodh në pushtet për një mori arsyesh. Politikani në opozitë mund të shkojë kudo ku shteti shqiptar përballet me një situatë apo me përgjegjësinë e qeverisë. Ata që po durojnë sot në Kakavijë prej 72 orësh janë shqiptarë që votojnë, në mos ata familjarët e tyre. Këta janë njerëzit që i zgjedhin e që politikanët qeverisin. Të ditur, të paditur, të duruar apo të paduruar, të informuar apo të painformuar, kjo është shoqëria anekënd botës. Radhë ka edhe në Francë, radhë ka kudo, por sot ndryshon dhe kur ke tre ditë aty në mes të pandemisë normal që kërkohet Reagim.

Një reagim ‘debole i qeverisë, me ministrin e Jashtëm në detyrë jashtë loje, dhe me shqiptarët që rrinë prej tre ditësh në kufi të detyruar të udhëtonin para datës 16 gusht nga një njoftim i beftë i palës greke. Të gjithë e dimë që janë njerëz që udhëtojnë nga halli dhe nuk po shkojnë në Santorini. Sidoqoftë ata janë nisur dhe s’kthehen më mbrapsht. Një telefonatë, një komunikim mes qeverive mund të kish krijuar një ‘comfort zone’ por deri më tani nuk ka ndodhur. Veç reagimit të FA, edhe ajo me pak vonesë, për ushqime dhe mbështetje si një plan për parandalimin e një katastrofe humanitare, në Kakavijë ka vetëm udhëtarë shqiptarë dhe gazetarë. Njerëz që herë me durim e herë të lodhur presin.

Kjo ishte edhe dita e liderit të opozitës, edhe hall i tij, e kryeministrit hije që na dëshmon se ai qenkërka alternativa më e mirë se Edi Rama.

Ok, mirë qeveria me Vonesë po opozita ku është?! Pse flet Berisha e s’luan vendit Lulzim Basha?!

Nuk besoj se janë më pak të rëndësishëm se Teatri ata që janë prej 72 orësh në Kakavijë.

Pse kjo indiferencë me Kakavijën apo t’ja lëmë fajin si gjithnjë ‘grekut’.

Ngjarja e Kakavijës është sot një kumt që politikë s'mund të bëhet vetëm për tryeza mes rivalëve apo reforma zgjedhore, politika duhet të jetë sidomos në shërbim të njerëzve, si ata që sot janë në kufi.

*Rubrika 25 rreshtat e Mirës nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Na kontaktoni në email: [email protected]