25 Rreshtat e Mirës

Kush? Me kë? Sa orë? Debati publik pa njerëzit e tij

Kush? Me kë? Sa orë? Debati publik pa njerëzit e tij

Debati publik i këtyre ditëve janë listat e hapura, që kërkojnë një ndryshim kushtetues. Në asnjë rast nuk mund të thuhet se kjo çështje është e parëndësishme për njerëzit, aq më tepër kur bëhet fjalë për mënyrën si votojmë. Nga ana tjetër ka shumë detaje, negociata dhe kamera e mikrofonë për atë që ndodh me politikën për politikën: kush përfiton më shumë nga ata, kush humbi, kush doli huq, kush paq. Kë takoi ambasadorja dhe kë jo. Të mendosh që dy javë lajm i parë ishte pse ambasadorja amerikane e thërriste 'mister Luli' kryetarin e opozitës.

-Çfarë po harrojmë të bëjmë?

Nëse nuk do shihja adresa në Instagram të politikanëve në botën e zhvilluar, me siguri nuk do t'i hidhja këto rreshta, aq më pak të bija në reflektim. Duke parë njëri-tjetrin edhe ne gazetarët po vetëminimizohemi dhe shpartallohemi profesionalisht duke ikur nga interesi publik e duke ndjekur interesin politik dhe atë që bën klik(ime). Në Zelandën e Re ka fushatë dhe kryeministrja aktuale kish postuar para pak ditësh një program me 5 pika, që kryefjalë kish njerëzit ose Kiwi-t (kështu thirren ata nga Zelanda e Re, zelandjotët a zelandarët). Fushata është një program me 5 pika, shoqëruar me fytyrën që qesh të kryeministres, i cili parashikon rimëkëmbjen nga pandemia dhe flet për vende të reja pune, për biznesin e vogël, për shkollat dhe nxënësit, për ringritjen e ekonomisë, për qytetarët e vendit. Kryeministrja e popullit kiwi, seç ka një pasion për njerëzit dhe kuptohet Zelanda e Re është faqe tjetër e botës e ne nuk kemi pse biem në krahasim. Programet e qeverisë atje kanë mbërritur deri tek pajisja falas me lines e tamponë në shkolla për nxënëset. Vend i pasur, po edhe atje ka të pastrehë e fëmijë me drama. Në Shqipëri nuk të del në ëndërr ky hall, por të paktën t’i kushtohemi elefantit në dhomë.

Në adresën e Tiranapost.al deri dje vinin pyetje për biletat dhe mënyrat e kthimit në Atdhe, tani ka prindër që pyesin nëse duhet të regjistrojnë apo jo fëmijën në klasën e parë, po në Universitet?

E nga ta dimë ne?! Mirë do ishte ta dinim. Të njiheshim edhe me planin a dhe b e c. A do studiojnë në shkolla apo në shtëpi? Nëse në shtëpi, si do jetë, online? A po përgatitemi ne siç po bëjnë shumë vende? Kur u pa edhe se çfarë kaosi ishte online gjatë pranverës pandemike. Deri tani s’dimë gjë!

Ka pyetje pafund për jetën e tyre. Dikush ka një biznes të vogël, një tjetër do të dijë për vendet e reja të punës, një tjetër a mund të shkojë në Gjermani, një tjetër a mund të kthehet? Çfarë e pret një të sapodiplomuar në perëndim, dhe çfarë i ofron vendi i tij veç flamurit dhe këngës ‘Kuqezi je ti’?!

Ne në redaksi kemi mësuar përmendësh si një vjershë të gjitha deklaratat për listat e hapura, zotërojmë njohuri të mjaftueshme në teori konspirative, dimë çfarë thonë portalet e tjerë. Jemi psikologë të humorit të kryeministrit, të presidentit, të Bashës (ky i fundit s'para ka humore, një fytyrë gjithmonë. Ndoshta avantazh?!).

Në redaksi dimë sa herë del nga zyra ambasadorja amerikane, kë takon, sa orë rri, siç dikur ndiqnim Big Brother. Jemi edhe fansa të ambasadores dhe ia qajmë hallin që duhet të durojë titujt tanë sa herë ajo bën punën e vet. Dimë çdo gjë që nuk i intereson direkt njerëzve dhe a nuk pyesim apo s'kemi kë pyesim, nuk merret vesh, por debati publik është çdo gjë, veç nevojës direkt të njerëzve. Ndoshta edhe njeriu shqiptar e ka të vështirë të bëjë gjatë gjithë kohës diferencën dhe transformohet në tifoz të këtij debati, që e ushqejmë çdo ditë si shejtanë budallenj, si naivë të paditur, ose si një media që po humb fuqinë e saj, si ajo lopa e madhe në pamje, por që s'jep më qumësht. Tema për njerëzit ka plot, por fundi i botës do ishte të fajësonim politikën pse ne vetë iu vendosim mikrofonin edhe kur janë duke bërë punën e tyre dhe s'kemi pse i japim famë çdo takimi e negociate. Bashkë me to duhet të nisim e pretendojmë të dimë edhe për projektin që merret me jetën e njerëzve. Ky po, është një debat publik që do t'ia vlente në çdo kohë, edhe pse është e trishtë që nuk e shohim si mungesë dhe nuk na zë gjumi se si i rrihet 4 orë kryeministrit me Gazment Bardhin?!

Sa për thashethemet, skandalet, prapaskenat, karizmat nuk humbasin terren e s’ka përse t’i ngrimë, por paralel, duhet futur në jetën publike edhe debati publik për temat e njerëzve qofshin të ‘mërzitshme' se na mori malli për mërzinë.

*Rubrika 25 rreshtat e Mirës nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Na kontaktoni në email: [email protected]