Opinion

Si flasin liderët përmes fotove dhe mesazhet që fshihen pas tyre

Jo pa shkak, Edi Rama zgjodhi këtë foto. Është një imazh që në shikim të parë të tremb, të tërheq vëmendjen, sigurisht, dhe që vështirë se lidhet me nevojën për komunikim apo pajtim. Nuk përcjell përulësi, por një lloj hakërrimi se sa një ftim në tavolinë.

Pse e bëjnë liderët politikë këtë? Cili është përfitimi?

Studiuesit e komunikimit politik si George Lakoff, Erving Goffman dhe Pierre Bourdieu, shpjegojnë se figurat publike shpesh përdorin imazhe të forta dhe polarizuese për të kontrolluar vëmendjen e publikut dhe për të dominuar debatin. Në epokën e rrjeteve sociale, vëmendja është monedha më e vlefshme politike dhe imazhet që provokojnë emocione, qoftë zemërim, frikë apo habi, kanë më shumë gjasa të shpërndahen dhe të komentohen.

Ekspertët shpjegojnë se kjo strategji funksionon në disa nivele. Së pari, ajo zhvendos fokusin nga temat konkrete politike drejt debatit mbi figurën e liderit. Së dyti, forcon ndarjen “ne kundër atyre”, duke mobilizuar mbështetësit më besnikë. Së treti, krijon përshtypjen e një lideri që nuk i nënshtrohet rregullave tradicionale dhe që sfidon kundërshtarët e tij.

Analistët vërejnë se Rama ka ndërtuar prej vitesh një profil politik jo konvencional, qoftë përmes mënyrës së veshjes, gjuhës së përdorur apo komunikimit në rrjetet sociale. Në këtë kontekst, edhe kjo foto mund të lexohet si pjesë e një strategjie më të gjerë për të mbajtur vëmendjen publike të përqendruar te figura e tij.

Pyetja nuk është vetëm se çfarë tregon fotografia, por edhe pse është zgjedhur pikërisht ajo. Dhe përgjigjja që japin ekspertët e komunikimit është e thjeshtë: sepse në politikën moderne, shpesh nuk fiton ai që bind më shumë, por ai që arrin të marrë më shumë vëmendje.

Kjo nuk është një taktikë e re. Donald Trump e përdori vazhdimisht duke e kthyer konfliktin dhe polemikën në motor të vëmendjes publike. Një nga rastet më të njohura ishte publikimi i fotos së tij të arrestimit (mugshot), të cilën e shndërroi nga një moment potencialisht i dëmshëm në simbol krenarie për mbështetësit e tij.