Të vërtetat e thjeshta

Një staf me 'flamingo'

Një staf me 'flamingo'

“Ne jo vetëm që nuk kemi përgjigjet e vërteta, por mbi të gjitha kemi pyetjet e gabuara: humbasim shumë kohë duke kërkuar përgjigje për pyetje që nuk janë më ato të duhurat. Të rinjtë nuk i kanë ende përgjigjet, por kanë pyetjet. Do të doja që çdo fjalë që unë nuk e them të zëvendësohej nga fjala e një të riu” Alessandro Baricco (La Repubblica, 15 maj 2026).

E pashë, dëgjova dhe pëlqeva shumê këtë mesazh të njërit prej shkrimtarëve bashkëkohorë më të suksesshêm italianë e më të dashur edhe për mua në profilin e kësaj gazete prestigjioze italiane.

E kam thënë edhe më parë, është një çlirim e përmbushje e veçantë kur kupton se me njerëz të tjerë, e aq më tepër me ata që vlerëson shumë, ndan të njëjtin mendim.

E pra unë e kam bindje që ka diçka që nuk shkon me shumë nga të rriturit ( lexo 60 vjeçarët, siç referohet edhe Baricco, që është vetë 68).

Në këtë kohë ku gjithçka ecën kaq shpejt, shumë prej tyre po refuzojnë të kuptojnë se ajo ç'ka ndodh, ka gjuhë, ritëm, formë e përmbajtje që thjesht është krejt e ndryshme prej asaj të tyres.

E po të ishte veç refuzim, mbase thjesht do më vinte keq për ta. Por në vendin tonë, në mjediset akademike, mediatike, artistike...(shtojini vetë të tjerat) problemi që vërejmë të gjithë, nëse ia vëmë pak mendjen, është se ky brez nuk pranon alternativë, kokëfortë se veç ata dinë, veç ata munden, një pjesë të mirë të energjisë së tyre e shfrytëzojnë për të penguar, fyer e nganjëherë edhe kundërshtuar me forcë të rinjtë, mundësitë që ata mund të kenë, talentin që duan të shprehin, aftësitë që duan të zhvillojnë.

.....

Këtë shënim nisa unë javën që shkoi...diku nga nisja e javës, që ta kisha gati për fundjavën e gjatë, ku përgatitjet e Festivalit Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë, mendova unë...do më merrnin kohë e mbase më mirë ta kisha shkrimin e javës gati.

Mirëpo...saktësisht me këtë logjikë të mbrapshtë, të martën e javës që shkoi, nisi "një luftë" që vërtet s'më la të bëja shumë nga punët e planifikuara.

Nuk dua kurrsesi t'iu jap vëmendje e aq më shumë zë historive me zhurmues që ne arrijmë të prodhojmë.

Përndryshe do isha duke ju treguar një histori të vërtetë, e cila ma vërteton katërcipërisht bindjen time ( edhe të Bariccos, me modesti mënjanë).

Në vend të saj, po ju flas sot për të rinjtë që mund të dalloni lehtësisht në foton që shoqëron këtë shkrim. Po i rreshtoj sipas moshës nga më i vogli 15 vjeç, te më i rrituri 26. Noeli, Hea, Eden, Hana, Klajsa, Arseldi, Jursi, Abeli, Jeta, Blerti e Editi.

Kjo është 11-shja me të cilën zbritëm në "fushë" në këtë edicion të Festivalit. Ne të rriturit iu dhamë atyre mundësinë dhe besimin, edhe këshillat sa herë patën nevojë. Ata na dhanë ne energjinë, adrenalinën dhe përgjegjësinë e tyre, edhe të qeshurat pafund.

11 të rinjtë vullnetarë të këtij edicioni, kanë shpesh pyetje. Në çastin e parë mendon se disa mund të jenë naive, por në fakt janë gjithmonë të drejta. Ata kanë energjinë që i duhet asaj skene, edhe dëshirën për ta bërë punën mirë, njohin çfarë bashëmoshatarët e tyre duan, e dinë si mund t'jua servirin dhe e komunikojnë me shpejtësinë e teknologjisë, që e përdorin në gishtat e duarve.

Ata flasin gjuhën e tyre plot batuta e meme dhe fluturojnë nga një cep te tjetri duke u marrë vesh në ajër.

Ata mund të mos e kenë ndezur kurrë televizorin te RTSH, mund të mos dinë emrat e artistëve tradicionalë pjesëmarrës në festival, mund të ngarërrojnë emrin me figurën e anëtarëve të jurisë...por kjo nuk i pengon fare ta duan me shpirt Festivalin, madje edhe ta mbrojnë shumë më shumë se ca të rritur që edhe këtë skenë fëmijësh duan ta bëjnë pjesë pazaresh.

E pra pa tundur flamujtë e dikujt që thotë se ça mendon ajo është e drejtë, sot para jush dua ta them me bindje se unë mendoj, them e bëj të njëjtën gjë. E do ta bëj gjithmonë, të përpiqem të kuptoj të rinjtë, t'iu jap atyre mundësi, t'i mbështes e t'i këshilloj, e mbi të gjitha ta kuptoj kur është koha të them boll, e t'jua lë atyre stafetën. Do të doja shumë që njerëzit që e mendojnë si unë, të jemi shumë më shumë.

P.s. teksa ne bëheshim gati për edicionin e 64-tërt të Festivalit, protesta e të rinjve s'kishte nisur ende. Nga paleta e ngjyrave të identitetit vizual që Festivali ka, vullnetarët zgjodhën këtë vit vetë që bluzat t'i kishin rozë. Disa gjëra thjesht i sjell rastësia, e mirë është t'i besojmë edhe asaj.