Art dhe Kulturë

Ndahet nga jeta regjisori i njohur shqiptar, Piro Milkani

Ndahet nga jeta regjisori i njohur shqiptar, Piro Milkani

Regjisori dhe skenaristi shqiptar Piro Milkani është ndarë nga jeta në moshën 86-vjeçare. Lajmi është konfirmuar nga i biri, regjisori Eno Milkani, përmes një njoftimi në rrjetet sociale.

I lindur më 9 dhjetor 1939 në Korçë, Milkani kreu studimet e larta në Akademinë e Arteve të Bukura në Pragë, Çekosllovaki, në degën e operatorisë filmike. Pas kthimit në Shqipëri, ai u përfshi në industrinë kinematografike dhe dha një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e saj.

Gjatë karrierës së tij realizoi mbi 20 filma artistikë dhe dokumentarë, përfshirë tituj si “Kur zbardhi një ditë” (1971), “Zonja nga qyteti” (1976), “Ballë për ballë” (1979) dhe “Ngjyrat e moshës” (1990). Ai punoi si regjisor, skenarist, operator dhe producent, duke mbuluar disa aspekte të procesit krijues.

Në vitin 1987 iu dha titulli “Artist i Popullit” për kontributin e tij në fushën e artit. Në vitin 1997 u vlerësua me “Çmimin e Veçantë” për krijimtarinë e tij në Euro-Festivalin e Saint-Étienne në Francë. Në vitin 2024, mori zyrtarisht diplomën nga Fakulteti i Filmit në Pragë, pas 63 vitesh nga përfundimi i studimeve.

Piro Milkani konsiderohet një nga figurat themeluese të kinematografisë shqiptare dhe ka pasur një ndikim të dukshëm në formimin e saj përgjatë dekadave.