Si funksionon pushteti në Britani? 6 dorëheqje kryeministrash në 10 vjet

Kryeministrit britanik Keir Starmer, pas braktisjes nga anëtarët e partisë së tij, dhe dorëheqjen.
“Pyetja që partia ime po bën tani është nëse unë jam personi i duhur për ta udhëhequr drejt zgjedhjeve të ardhshme. Vendimi im është të vendos vendin tim në radhë të parë”, tha Starmer, i cili nuk është i vetmi kryeministër britanik që jep dorëheqjen. Ai është i gjashti në 10 vitet e fundit.
David Cameron (2016)
U largua menjëherë pas referendumit të Brexit, pasi mbështeti kampin “Remain” dhe rezultati doli kundër tij. Në sistemin britanik, një humbje e tillë e madhe politike shpesh konsiderohet si humbje e mandatit moral për të qeverisur.
Theresa May (2019)
Qëndroi në detyrë mes një Parlamenti të bllokuar nga Brexit-i. Dështimi i përsëritur për të kaluar marrëveshjen e saj çoi në humbjen e kontrollit brenda partisë dhe dorëheqjen e saj.
Boris Johnson (2022)
U rrëzua jo nga zgjedhjet, por nga brenda partisë së tij, pasi skandalet politike dhe humbja e besimit të deputetëve konservatorë e bënë të pamundur vazhdimin në detyrë.
Liz Truss (2022)
Rasti më i shpejtë në historinë moderne britanike: vetëm 45 ditë në pushtet. Ajo u tërhoq pas krizës financiare që shkaktoi paketa e saj ekonomike dhe presionit të tregjeve dhe partisë.
Rishi Sunak (2024)
Nuk dha dorëheqje në kuptimin klasik, por u largua si kryeministër pasi humbi zgjedhjet e përgjithshme. Në Britani, humbja e zgjedhjeve do të thotë automatikisht dorëzim i pushtetit te fituesi.
Si funksionon realisht “heqja nga pushteti” në Britani?
Në sistemin britanik, kryeministri nuk ka mandat të pavarur nga partia e tij. Ai qëndron në detyrë vetëm për aq kohë sa:
-ka shumicën në Parlament
-gëzon mbështetjen e partisë së tij
-nuk humb zgjedhjet e përgjithshme
Kur një nga këto shtylla bie, procesi i largimit ndodh shpejt dhe shpesh pa ndërhyrje formale institucionale: partia zgjedh një lider të ri, ose qytetarët vendosin në zgjedhje të reja.