Të vërtetat e thjeshta

Kam disa dilema këto kohë, që më frenuan të shkruaj javën e kaluar.

Kam dëshirë ta vazhdoj këtë hapësirë me shënime të miat e sigurisht dua të mbetem te komunikimi. Kam njëqind tema në kokë: të shkruaj për nevojën e normalizimit të problemeve, sfidave apo edhe fatkeqësive me të cilat mund të përballemi si familje dhe për mënyrën se si ua komunikojmë ato fëmijëve; për bisedat që duhet të bëjmë me fëmijët tanë në këta muaj vere, kur shumë prej tyre jetojnë me dilemat për shkollën që do të zgjedhin apo studimet që do të ndjekin. Kam dëshirë të shkruaj edhe për nevojën që 18-vjeçarët kanë për liri dhe për detyrën tonë, si prindër, që, bashkë me lirinë, t'u injektojmë edhe përgjegjësinë.

Por të gjitha këto më duken tema pa afat. Tema që mund të presin. Ndërsa ajo që nuk pret është tema e ditës: protesta e flamingove. Për të ndiej se duhet të shkruaj sot. E ja ku jam sërish, në këtë shënim drejtuar të rriturve të këtij vendi.

Të kuptohemi: as nuk pres që mendimet e mia të bëjnë mrekulli, e aq më pak dua që, duke shkruar për këtë çështje, të marr ndonjë protagonizëm. Krejt e kundërta. Po përpiqem, fare modestisht, t'ua drejtoj këtë shënim bashkëmoshatarëve të mi, por edhe atyre më të rritur se unë, me shpresën që të mendojmë e të reflektojmë së bashku mbi sjelljen tonë.

Unë mendoj se gjëja më e mençur që ne, 45-, 55- apo 65-vjeçarët e këtij vendi, mund të bëjmë përballë kësaj proteste është ta lëmë të jetë. As ta shajmë, as të kërkojmë prej saj të përmbushë pritshmëritë tona. E aq më pak të përpiqemi ta

marrim në dorë, ta drejtojmë apo ta përdorim si zëdhënëse të ideve tona.

Le të përpiqemi ta lëmë të jetë ajo që është. Teksa shoh lajme, shënime e ftesa për t'u bërë pjesë e grupeve që duan të bëjnë kuvende, komente të politikanëve e qëndrime, në mos banale, edhe fyese për inteligjencën, nuk më vjen fare e vështirë të dalloj kontrastin e madh me të rinjtë e protestës, energjinë e tyre, fjalorin dhe format e komunikimit.

Mua më duket se kjo është protesta e një brezi që ka të drejtën të flasë me gjuhën e vet, të zgjedhë format e veta dhe të bëjë edhe gabimet e veta. Ne nuk kemi pse t'ia imponojmë përvojën tonë, sepse çdo brez ka sfidat e veta dhe mënyrën e vet për t'u përballur me to.

E këtu nuk e kam fjalën për kundërshtuesit e saj.

Sinqerisht, shpesh shumë prej tyre më duken thjesht qesharakë. Shënimin tim e kam për të rriturit që e përkrahin protestën.

Ju lutem, nëse kemi diçka për të dhënë, le të jetë respekti. Nëse vërtet duam t'u ofrojmë diçka, le të mësojmë t'i dëgjojmë të rinjtë. E, meqë mendojmë se ende kemi dëshirën për të mësuar, ndoshta ky është momenti të mësojmë vetë se jo çdo zë i ri ka nevojë për udhëzimin tonë.

Gabimi i brezit tonë është se vazhdojmë të besojmë se çdo gjë ka nevojë për zërin tonë. E pra, ja që nuk ka.

Ka momente në zhvillimin e një shoqërie kur kontributi më i madh i një brezi nuk është të dalë në krye, por të tërhiqet. Kjo nuk do të thotë të jemi indiferentë, përkundrazi. Ne duhet të bëhemi të mençur e të kuptojmë se vendet normale nuk ndërtohen kur çdo brez përpiqet të zgjasë pafund protagonizmin e vet, por kur secili brez ua dorëzon stafetën atyre që vijnë pas.

Përtej kërkesave politike, ajo që unë besoj fort është se kjo nuk është një protestë që premton zgjidhje të shpejta. Më duket diçka shumë më e vështirë. E shoh si një përpjekje për të ndryshuar kulturën, mënyrën si sillemi me njëri-tjetrin, mënyrën si respektojmë rregullat dhe mënyrën si e kuptojmë përgjegjësinë qytetare.

Shqipëria që kërkohet të lindë nuk është thjesht një Shqipëri me qeveri të re, as me ligje të reja, as me njerëz të rinj. Është një Shqipëri me një mendësi të re: më normale, më evropiane, me rregulla loje që vlejnë njësoj për të gjithë.Prandaj unë mendoj se ne e patëm mundësinë t'i jepnim fytyrën tonë vendit tonë. Nuk e bëmë mirë, edhe pse shumë prej nesh u përpoqën. Kjo është gjëja e parë që duhet ta pranojmë. E, pikërisht për këtë arsye, ne nuk kemi pse t'i japim kësaj lëvizjeje fytyrën tonë. Ajo ka fytyrën e brezit që e ka nisur. Ne nuk kemi pse ta mbushim me fjalime në kuvende të dala boje, as ta shndërrojmë në garë protagonizmi apo batutash banale që prodhojnë vetëm duartrokitje të çastit.

Them se gjithçka që ne duhet të bëjmë është t'u japim hapësirë të rinjve. Besoj se kontributi më i madh që mund të japim sot është të kemi besim se, edhe pa ne në qendër të skenës, Shqipëria mund të bëhet më e mirë.