Harry kujtohet për familjen dhe kërkon të pajtohet, Pallati Mbretëror i përgjigjet

Në një intervistë për BBC, Harry tha se nuk e sheh të mundur të sjellë fëmijët e tij Archie dhe Lilibet në Mbretërinë e Bashkuar pa siguri të garantuar dhe shtoi se mbreti Charles "nuk flet me të" për shkak të kësaj çështjeje. Ai gjithashtu shprehu shqetësim për gjendjen shëndetësore të të atit dhe dëshirën për pajtim: "Jeta është e çmuar. Nuk e di sa gjatë do ta kem ende babain."
Pallati Mbretëror reagoi pas intervistës së Princit Harry dhe vendimit gjyqësor, ftohtë dhe prerë: “Të gjitha këto çështje janë shqyrtuar në mënyrë të përsëritur dhe të detajuar nga gjykatat, me të njëjtin përfundim në çdo rast.”
Harry dhe Meghan janë shkëputur nga familja mbretërore. Disa vite më parë dhanë një intervistë shpërthyese përballë Oprah Winfrey ku nxorën detaje nga marrëdhëniet me familjarët, që nga komentet raciste për ngjyrën e lëkurës të fëmijëve që Meghan dhe Harry do kishin, deri tek sherri me Kate. Nga ajo kohë, marrëdhëniet janë të ngrira.