Adoleshenti i momentit Owen Cooper shkruan histori në Emmy Awards

Mbrëmja e Emmy solli një moment historik: aktori britanik Owen Cooper, vetëm 15 vjeç, u shpall fitues i çmimit “Aktori dytësor më i mirë” në një miniserial për rolin e tij në produksionin e suksesshëm “Adolescence”. Ai u bë kështu aktori më i ri që ka fituar ndonjëherë këtë çmim prestigjioz.
Cooper interpretonte një nxënës të akuzuar për vrasjen e shoqes së klasës, rol që i solli jo vetëm duartrokitjet e jurisë, por edhe të publikut. Vetë miniseriali katër-orësh nuk u ndal me kaq: përveç çmimit për aktorin e ri, fitoi edhe si “Miniseriali më i mirë”, si dhe u vlerësua për regjinë, skenarin dhe interpretimet e shkëlqyera të Stephen Graham dhe Erin Doherty.
I emocionuar në skenë, Cooper tha: “Të jem këtu është thjesht surreale. Kur nisa kurset e aktrimit, as që e mendoja se do të isha një ditë në Shtetet e Bashkuara, e lëre më në këtë skenë. Sonte kuptova se nëse dëgjon, përqendrohesh dhe del nga zona e rehatisë, mund të arrish gjithçka. Kushdo që të jesh.”
Me këtë fitore, ai thyen rekordin që mbahej prej vitit 1973 nga Scott Jacoby, i cili ishte 16 vjeç kur fitoi Emmy për “That Certain Summer”. Megjithatë, më e reja që ka fituar ndonjëherë një Emmy mbetet Roxana Zahl, që e mori çmimin në moshën 14 vjeç për “Something About Amelia” në vitin 1984.
“Adolescence” ka marrë vlerësime të shumta për mënyrën se si trajton ndikimin e telefonave inteligjentë dhe rrjeteve sociale tek adoleshentët, duke e shndërruar në një prej produksioneve më të komentuara të vitit.