Princ Leka flet për herë të parë pas ndarjes: Me Elian flinim në dhoma të ndara. Asaj i tregova të parës për Blertën

Një variant krejt tjetër të historisë së aluduar në media, ka dhënë Princ Leka. Sipas tij, Blerta nuk hyri në mes të lidhjes së tij dhe Elias, pasi ata ishin ndarë emocionalisht dhe fizikisht prej kohësh. Princ Leka tregoi sesi flinin në dhoma të ndara dhe se përpara se t`i jepte edhe përqafimin e parë Blertës, që kur kishte nisur të ndjente diçka për të, ishte Elia ajo me të cilën foli.
Të dy bashkë, Princ Leka dhe e dashura e tij Blerta Celibashi ishin të ftuarit e parë të “Mirëmbrëma Yje” me Arbana Osmanin.
“Ne kemi kaluar, sidomos 20 muajt e fundit, sfida shumë të ndryshme. Unë kam pasur mirëbesim tek institucionet e shtetit shqiptar dhe nuk kam pasur asnjëherë dëshirën që ajo video të dalë në publik. Prandaj unë gabova, nuk duhet të kishte dalë asnjëherë ajo video.” – tha Princi.
Ai sqaroi se narrativat për lidhjen me Blertën, të cilat aludonin për tradhti, ishin të pavërteta:
“Kemi pasur sulme mediatike, ligjore, nga gjithë instrumentat. Narrativat kanë qenë të imponuara, jo reale. Nuk ka pasur asnjëherë çështje tradhtie. Personi i parë që kam njoftuar për lidhjen time, mbase pa i dhënë ende një përqafim Blertës, ka qenë pikërisht Elia.”
Princ Leka foli edhe për publikimin e videos ku ai dhe Elia shfaqeshin në momente tensioni dhe sqaroi se e kishte xhiruar pasi këshilltarët e tij e kishin sugjeruar ta bënte në një rast të tillë dhe se e kishte dorëzuar në polici, nga ku edhe video ka dalë.
“Hapa kamerën sepse kjo ka qenë këshilla e këshilltarëve të mi. Ishte e vetmja mënyrë që të siguroja realitetin e ngjarjes. Pastaj, fakti që ka dalë në publik, më ka bërë të ndihem shumë keq. Ndihem i tradhtuar nga ata persona që e kanë nxjerrë. Di që s’kam pasur miq në atë moment”, tha Leka Zogu.