Stil jete

Psikologjia sekrete e nostalgjisë

Psikologjia sekrete e nostalgjisë

Po nxitoja përmes aeroportit një ditë kur pashë një djalë, ndoshta 19 ose 20 vjeç, që mbante veshur pikërisht të njëjtat xhinse të gjera që kisha unë në vitin 1993. Të miat i kisha blerë në një qendër tregtare të rrënuar në periferi të Kalifornisë Veriore, sepse mendoja se më bënin të dukesha si dikush që kuptonte skateboard-in. Kur i pashë te ky djalë, më shumë se 30 vjet më vonë, u përgatita për atë ndjesinë “oh Zot, po plakem” që të kap kur sheh rininë tënde të shfaqet në gardërobën e dikujt tjetër.

Por kjo nuk ndodhi. Ajo që ndjeva ishte më shumë si njohje, por nuk arrija të kuptoja saktësisht çfarë po njihja. Nuk dua aspak t’i kthej ato pantallona dhe nuk më mungon veçanërisht as viti 1994, që e mbaj mend kryesisht si një kohë pasigurie të thellë. Ndjesia ishte për diçka më poshtë se pantallonat, për një cilësi të përvojës që papritur ndjeva se më mungonte, si kur hyn në një dhomë dhe e di që diçka është zhvendosur, por nuk mund të thuash çfarë.

Anemoia

E kam rrotulluar këtë ndjesi në mendje për javë të tëra, pjesërisht sepse po e shoh kudo. Interneti ka vendosur që viti 2026 është “2016 i ri”. Madje ekziston edhe një faqe e plotë në Wikipedia për këtë fenomen.

Pastaj është fjala e bukur anemoia, e krijuar nga shkrimtari John Koenig, që përshkruan nostalgjinë për një kohë që nuk e ke jetuar kurrë.

Miliona të rinj e kanë përqafuar këtë term kohët e fundit, sepse i vë emër një dhimbjeje që e kanë ndjerë, por nuk e kanë shprehur dot. Ata po blejnë kamera filmimi, po krijojnë klube sociale pa telefona, po ndërtojnë identitete të tëra mbi dekada që përfunduan para se ata të lindnin.

Shpjegimi i zakonshëm, që nostalgjia është “ushqim emocional” që kërkojmë kur e tashmja bëhet e vështirë, është i vërtetë deri diku dhe i mbështetur nga kërkime. Por nuk shpjegon atë që ndjeva unë në aeroport. Ajo ndjesi nuk ishte e ngrohtë dhe e ëmbël siç supozohet të jetë nostalgjia. Ishte e mprehtë, si një sinjal që të tërheq vëmendjen për diçka që nuk e ke vënë re që mungon.

Tani mendoj se e kuptoj çfarë po ndodh.

Kur ti mbaje stilolapsin

Kur studiuesit analizojnë përmbajtjen e kujtimeve nostalgjike, del një model i qartë që shumica e njerëzve nuk e vënë re: vetja është pothuaj gjithmonë protagoniste. Këto nuk janë thjesht kujtime rehatie apo ngrohtësie. Janë kryesisht kujtime kur veproje me vullnetin tënd kur organizoje një udhëtim me hartë letre, kur telefonoje një mik në telefon fiks dhe flisje për orë të tëra për gjëra të zakonshme, kur hyje në një dyqan disqesh pa e ditur çfarë kërkoje dhe dilje pas 45 minutash me diçka që e kishe zgjedhur vetë. Skenat që mendja i ruan janë ato ku ti mbaje stilolapsin.

Një gjetje tjetër e rëndësishme e thellon këtë ide.

Studime në kufirin mes kërkimeve për nostalgjinë dhe teorisë së vetëvendosjes sugjerojnë se, kur ndjenja e autonomisë kufizohet, kur njerëzit ndihen sikur nuk kanë zgjedhje, nostalgjia aktivizohet pothuaj automatikisht, si një alarm i brendshëm. Mendja ndjen mungesën e autorësisë dhe kthehet në arkiv për të gjetur prova se dikur ke qenë dikush që vendoste vetë.

Dhe kjo më preku. Sepse nëse nostalgjia ndizet, kur mendja ndjen se ke humbur aftësinë për të zgjedhur, atëherë duhet të pyes veten pse ky alarm po bie kaq shpesh sot.

Vetja e kuruar

Shumica prej nesh e shohin nostalgjinë si ndjesi për të kaluarën. Dhe në një farë mënyre është. Por ajo lidhet po aq me të tashmen: është një sinjal që ke humbur më shumë autorësi mbi përvojën tënde sesa mendon. Dhe arsyeja pse ky sinjal po ndizet kaq shpesh nuk lidhet vetëm me kalimin e kohës, por me mënyrën si shumë nga përvojat tona të përditshme tashmë “shkruhen” për ne pa e vënë re.

Më kujtohet ai djalë në aeroport. E kuptoj tani që ndjesia nuk kishte të bënte me 1993 apo me ato pantallona. Ishte mendja ime që po më thoshte, në mënyrën e vet të heshtur, se diku gjatë rrugës kisha lënë më shpesh se duhet stilolapsin nga dora. Dhe një djalë me xhinse të gjera thjesht kaloi aty në momentin kur isha gati ta dëgjoja këtë.