25 Rreshtat e Mirës

A (love) story

A (love) story

Ai i ka puthur të gjitha, të gjitha janë mërzitur dhe të gjitha kanë shpresë!

Qëkur francezët e zbuluan këtë puthje, ajo vazhdon të emocionojë nëpër filma Hollivudi. Edhe përrallat këtë iu mësojnë vajzave të vogla me princin që vjen me kalë dhe i puth në buzë. Ka edhe shoqëri si India apo deri vonë edhe Turqia, që tek puthja nuk shkojnë kurrë as në film. E ruajnë apo i kompleksohen?! Për habi, këto serialet pa puthje ndiqen po aq shumë në Shqipëri sa ato me puthje.

Ky shkrim nuk është për puthjen, edhe pse nis ashtu.

Ai mori spunto kur në redaksi më thanë se bëhej fjalë për djalin e "Love Story", një tip me flokët me xhelatinë, që i ka puthur të gjitha. Atëherë, -iu thashë,- le t’i ndërrojmë edhe emrin show-t, “old story”!

Me këtë nuk kam parasysh aspak cilësinë e programit, pasi nuk po ndodh asgjë më pak seç ka ngjarë në kinematografi, Hollivud dhe në përralla, aq më tepër në një shoqëri që ende mbart të vjetrën më shumë sesa përfton të renë, një djalë që i puth të gjitha është në rregull, se çunat nuk gjykohen. Madje, më pezmatuese është që nuk gjykojmë as vajzat që presin e vihen në garë për një. Nuk është e lehtë ta kapërdish mënyrën qindravjeçare të zakoneve dhe stilit të jetesës. Ka shumë gjëra anormale që i dimë për normale.

Këtu tërë jetën vajzat kanë pritur radhën. Motrat radhën që të martohej e madhja, secila ditën që do t'i vinte radha. Gjyshja ka ikur nga kjo botë pa kuptuar gjë.

-Pse duhet të flasim për këtë fenomen?

Sepse Shqipëria ka nevojë për vajza që nuk luftojnë të gjitha për një burrë apo dhe princ po deshët ju, por që luftojnë për veten, për t'u bërë të pavarura dhe aq të mira sa të mos kenë nevojë të presin turnin e puthjes.

Ne kemi nevojë për vajza që shkëputen nga hija e familjes, qoftë edhe nga modeli i nënave posesive, i babait të rëndë apo edhe i familjes së lumtur.

Vajzat duhet të ikin gjithsesi nga shtrëngesat edhe nga privilegjet e familjes.

Ato kanë nevojë të përparojnë, mbijetojnë, të mos pyesin për rregullat, as për normat që i kanë vënë jetë e mot burrat, bashkë me nënat e tyre, pse jo.

Shqipëria ka nevojë për vajza që trajnojnë artin e sigurisë dhe sidomos që dinë të thonë "jo" . Se këto vajza rriten, edukohen, shkojnë në plazh, në gjykata, në shkollë, në punë ku japin mësim, në parlament ku mund t'i japin kryetarit një mësim, shoqërisë një shembull.

Jemi edukuar që të themi për çdo gjë "Po", të bindemi, të durojmë. Jo se këto nuk duhen në artin e sigurisë, përkundrazi, janë po aq pjesë e domosdoshme e të qenit grua, vajzë, empatike dhe romantike. Edhe vajzat që s'pyesin për lotin, kanë diçka që nuk shkon, por vajzat nuk janë kukulla në rresht. Më mirë të qajnë se të presin ashtu si shishe qumështi.

Ndoshta 20-vjeçaret e sotme duken më me epërsi, por vetëm në veshje dhe lirinë e orareve jashtë. Modeli mbetet old story.

Modelet e blogereve, këngëtareve, janë të vetmet që dominojnë botën e tyre. Shumë mirë, se mes tyre ka jo pak art sigurie, por kemi nevojë për më shumë, edhe pse shoqëria një garë letërsie, një quiz diturie nuk ta ndjek mbrëmjeve në ekran.

Kemi kaq vite që i ushqejmë me doza kali për sherre, skandale, përgjime, kërcime.

Dihet audienca dhe televizoni është një përbindësh që s'të lejon të bësh mësuesin e shoqërisë.

Është debat i botës. Disa janë rreshtuar kundër e disa pro. Por ky nuk është shkrim për televizionin dhe si duhet të jetë ai.

Televizioni argëton, skandalizon, debaton, gabon dhe fundja edhe kështu e bën një punë duke ngacmuar tema e hapur diskutim.

Personalisht nuk më bëhet më vonë për fatin e televizionit. Për fatin e vajzave, po! Sepse nga ai fat varemi në mënyrë ombelikale prej tyre.

Amerika ka çelur sythet e para me lëvizjen #MeToo. Megjithë patetizmat në disa vende, tek e fundit ka bërë vetëm mirë.

The Economist para një muaji i jepte faqe të rëndësishme librit feminist të Alice Coffin që nuk ka asnjë lidhje me feminizimin e fuqishëm të Simone De Beauvoir si tek Second Sex.

Libri i Coffin shkonte në anën tjetër të ylberit dhe me të drejtë etiketohej nga kritika si një gjë qesharake. Hiqni burrat nga mendja, nga jeta. Urrejini ata.

Nuk është refuzimi as urrejtja që na rikthejnë fuqinë e dinjitetin. Por ç'është e vërteta bota po flet. Mirë apo keq, qesharakësisht apo seriozisht, s’përbën ndonjë problem. Po flet!

Çdo gjë ka ardhur nga fjala. Lufta dhe paqja, pasi njerëzit e parë ndezën një zjarr dhe siguruan mbijetesën, kërkuan fjalën siç njihet ndryshe teoria “there is a lion near the river” ose nevoja për t'u treguar fiseve se kafshë të rrezikshme po i sulmonin.

Fjala erdhi edhe si nevojë për të komentuar tjetrin, thashethemi është "fake news" më i vjetër që ka bota gjithashtu. Fjala duhet të ketë ardhur edhe si nevojë për të shprehur dashurinë.

Të gjitha ndodhën nga fjala, ndaj sot ajo duhet peshuar e përdorur si fuqi çliruese.

Por nëse nuk e bën familja? Nëse nuk e bën shkolla? Nëse nuk e bëjnë librat, kurrikulat, televizioni, portalet, kush do ta bëjë?

Më shumë nga të gjithë, nënat dhe mësuesit! Familja dhe shkolla, librat dhe informacioni.

Ne pasqyrojmë këto dy vertebra të shoqërisë, kudo që shfaqemi, në rrugë, apo në televizion.

*Rubrika 25 rreshtat e Mirës nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Na kontaktoni në email: [email protected]