“Elbasani si Palermo” Reflektim pas letrës së shqetësuar të një ambasadori
Sot lexova letrën publike të ambasadorit italian në Tiranë, Fabrizio Bucci, drejtuar kryeredaktorit të gazetës "Dita", Adrian Thano. Letra theksonte shqetësimin e diplomatit për krahasimin e përsëritur të Elbasanit me Palermon nga reporterët që mbulojnë kronikën e zezë. Shqetësimi është i drejtë, legjitim por edhe patriotik. Në letër mbrohej nderi i Palermos dhe imazhi i kryeqytetit të Siçilisë, të cilin ne shqiptarët e njohim nga seriali "Oktapodi", por edhe nga fundi tragjik i idealistëve si Falcone dhe Borsellino. Siçilia e viteve `90, ishte e tillë, gjakatare dhe peng i mafias!
“Sot gjërat kanë ndryshuar" -thotë ambasadori Bucci në letrën për Kryeredaktorin Thano.
Mafia atje nuk është se nuk ekziston më. Thjesht ka ndryshuar. Detyra e një njeriu që e do vendin e tij, aq më tepër e një diplomati që përfaqëson drejtpërdrejt interesat e atdheut të vet është mbrojtja ndaj çdo deklarate apo akti që ia cënon imazhin apo nuk ia njeh përpjekjet për ndryshim. Krahasojeni me ne. Ne që jemi kampion Par exellence për të bërë pis vendin tonë, një traditë e vjetër politike majtas, edhe djathtas. Edhe gazetaria që kërkon krahasimet më të zeza, është “pattern” po i një shoqërie që nuk e ka për gjë ta telendis vendin e vet. E kemi të gjithë nga pak. Ankohemi sa herë dështojmë, ia vëmë fajin Tiranës, Vlorës, Elbasanit, Shqipërisë së vogël që s`na i përmbush ëndrrat. S`bëhet ky vend, s`bëhemi ne. Besojmë tek ikja! Ik nga këtu. Dërgoji fëmijët jashtë. Ah të ishe ti me këtë talent në NY etj, etj. Në fakt nuk ikim nga vendi, ne ikim nga njëri-tjetri.
Ironike është që sharësit më të thekur janë ata që i kanë marrë më shumë këtij vendi. Janë pasuruar më shumë, kanë krijuar identitet dhe karriera, janë lodhur shumë herë më pak sesa homologët e tyre në NY, Romë, Berlin e Tokio për "suksesin". Shqipëria është më e lehtë. Në mungesë të shtetit dhe jo vetëm të shtetit, nuk ka vetëm padrejtësi, por edhe avantazhe.
Pse nuk ia shohim dot Shqipërisë tonë të vogël anët e mira? Pse e kemi kaq të thjeshtë ta shesim? Të tjerë nuk e bëjnë. Shikoni serbët që kanë në ballë njollën e spatrimeve etnike dhe mbajnë ende era gjak. Gjermanët që u ngritën mbi hirin e Luftës së Dytë Botërore, apo francezët që as anglisht s`të përshëndesin në dyqan.
Ky ishte reflektimi i parë që më çliroi letra e ambasadorit italian në Tiranë. Italia në Shqipëri ka dërguar një diplomat safi të mirë nga i cili duhet të mësojmë edhe ne. Sidomos si ta duam vendin, edhe pse gjërat nuk janë fjollë. As këtu, as në Palermon e ambasadorit.
***
Dy fjalë për Palermon, të cilën qëlloi që e kam vizituar dy vite më parë, në një javë pushimesh me kushërirën time që jeton në Itali. Me një "Fiat Punto" kemi shëtitur çdo ditë nga një destinacion. Qendrën e kishim në Catania. Location është perfekt nëse do të shkosh në vende të ndryshme të Siçilisë.
Ne zgjodhëm të qëndronim në një Airbnb dhe ishte gjëja më e mirë, sepse e gjithë rrugica ishte një histori, me gra që ende thërrisnin fëmijët nga ballkoni, siç tek ne në komunizëm. Nuk kishin ajër të kondicionuar shumica dhe, ose rrinin me dritare hapur e freskuese të vogla, ose me ato freskueset e viteve '90. Ngjitur kishim një galeri dhe që ditën e parë takuam profesorin e artit i cili na dha këshillat e duhura për të vizituar.
Nga Shqipëria më kishin sugjeruar sigurisht Taorminën, të cilën e vizituam një mëngjes, por ne ndoqëm guidën e profesorit të artit, shkuam në Notto, Valle dei Templi, Agrigento, Siracusa, Palermo.
Në Catania, na mësoi se nuk duhet të shkonim në disa zona natën se ishte ende rrezik. Qyteti, tha ai, s`e mori kurrë veten. Vitet `80 janë koha më e bukur e Catanias. Siçilia ishte një vend plot jetë. Pas `90 e tutje gjërat ndryshuan. Fillimisht lufta me mafian. Më pas dhjetra bërryla politike dhe ekonomike. Kërkesa për autonomi veç i përkeqësoi gjërat.
Korrupsion pas korrupsioni, kryebashkiakë që kontrollohen nga mafia ose ngrihen prej tyre. Të rinjtë iknin të gjithë. Plehrat ishin shenja kryesore siç më rrëfeu profesori italian i Catanias. Mbledhja dhe riciklimi i tyre kontrollohej prej mafias dhe rezultati ishte i qartë, me sy të lirë. Në Palermo ishin kudo. E vetmja shenjë që më bëri të mendoj për mafian. Pjesa tjetër ishte një copë parajse. Nuk kisha parë kurrë një perëndim aq të portokalltë e të zjarrtë sa në Palermo. Morëm një paradite të tërë autobusin "Hop On Hop Off" dhe në kufje mësova pak nga historia e bukur e këtij vendi që artin e ka të gdhendur në pamjen e ndërtesave, në bistro ku muret e larta dhe pikturat të tregojnë se aty ka pasur një bibliotekë para 500 vjetësh. Teatri i Operas dhe Baletit më i madhi në Europë ndodhet në Palermo. Njerëzit janë të dashur, mikpritës dhe si pa djallëzi. Mezi pranojnë një bakshish. Janë bujarë në ADN. Porosit një Aperol Spritz dhe ta mbushin tryezën me ullinj, fistiqe.
Nuk patëm asnjë ditë frikë dhe nuk kish vend për t`u trembur. Rrugët ishin shumë të mira dhe Siçilia ishte një tokë e bekuar më një ngjyrë si të kuqerremtë e me qiellin, që gjatë qëndrimit, nuk pamë një shtëllungë reje. Na shoqëroi me një kaltërsi konstante. U largova me dashuri e pa asnjë peng nga ajo javë pushimesh në Siçili, ku shpenzuam pak e morëm shumë.
Tani, që t’i ngjajë Elbasani Palermos është e pamundur, (qoftë ky krahasim i zi me përfytyrimin e mafias) sepse ata janë ata që janë dhe Italia me art e makarona ka çmendur botën.
Boll që edhe fqinjin e arbnb e gjen galeri arti.
E ndryshuar apo jo, në bukurinë e perëndimeve të saj, siç tha edhe profesori i artit, ende lulëzon mafia, por jo si njëherë e një kohë. “Kur kujtuam se e hodhëm në plehra, e gjetëm aty” më kujtohet që më tha ai.
Palermo
Teatri i Operas dhe Baletit, Palermo
*Rubrika 25 rreshtat e Mirës nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Na kontaktoni në email: [email protected]