E kaluam edhe vitin e dytë në pandemi. "Covid 19" mbushi 2 vjeç. Është bërë edhe me fëmijë (me thonjëza): Delta, Omicron, Mu, e një Zot e di se kur mbaron kjo histori. Në Shqipëri, ndryshe nga vendet e zhvilluara, por edhe nga rajoni, pandemia ishte një çështje lajmesh më shumë sesa kushtëzimi. Në këtë cep me diell e dritë të botës mbizotëroi liria. Njerëzit bënë pushime, dolën për dreka e darka, bënë protesta politike, votuan dhe as qeverinë s'ndryshuan. Pandemia nuk nxiti as protesta anti-vaksinë, si në shumë vende të botës. Dhe as pati masa agresive apo respektim rregullash si kudo. Kujt prej jush nuk i tha një afërm që udhëtoi nga Amerika, Anglia apo Italia se vetëm në Shqipëri nuk bie në sy trauma e pandemisë. Ajër, det, kafene dhe restorante, njerëz pa maska në rrugë, veç ndonjë merakli.
Por, nga ana tjerër, "Covid" mori po aq jetë njerëzish. Jo pak humbën prindër dhe të dashur. Trishtim!
Shqipëria politike nuk pati ndonjë të re! Ose e reja ishte pikërisht kjo. Socialistët ruajtën një mandat të tretë, duke vendosur për herë të parë precedentin e një qeverie kaq të gjatë për një forcë politike që nga pluralizmi.
Në javën e fundit të gushtit Edi Rama mblodhi qeverinë dhe la të kuptohet që shumica të mos mërziteshin por do mblidhnin fotografitë nëpër zyra. Si me pandeminë edhe me qeverinë ndodhi ajo që s'pritej. Vazhduam me të vjetrën! Për më mirë apo jo, këtë është e vështirë ta kuptosh në vendin tonë.
Ndoshta edhe sepse që prej shtatorit askush nuk flet për programin, për shqiptarët por për opozitarët.
Shtëpitë dhe lagjet e tërmetit po shkojnë drejt fundit. Një pjesë ka mbaruar. Herë pas here kemi ndjerë ndonjë tërmet të lehtë. Do të jemi kështu për 10 vjet, thanë sizmiologët, duke u lëkundur nga pak. Sikundër do të vazhdojmë të jemi gjithnjë e më të rrezikuar nga nervozizmi i natyrës me ne njerëzit. Zjarret, përmbytjet janë një sinjal alarmi për dorën e njeriut.
Edhe pse edhe në këtë pikë ne shqiptarët jemi unikë. Edhe pse pa shumë orientim apo edukim për mjedisin, kur vjen çasti i fatkeqësive, jemi solidarë. Këtë verë unë takova vajzat që luftuan me flakët dhe ishin sytë dhe duart e tyre që më dhanë shkëndijën e parë për të nisur një podcast në TIP me njerëz që ia vlen t'i dëgjosh, sepse për të thënë tani kanë të gjithë diçka. Pyetja është kush vlen të dëgjohet?!
Të rinjtë janë një gjeneratë në kohë të turbullt. Ata shoqëria i sheh me paragjykim si brez që ka interes vetëm për festat dhe klubet e natës, por a po e bëjmë pyetjen pse? Nëse Shqipëria vetëm atë ofron dhe sheh sesi bashkëmoshatarë të tyre bëjnë ngjitje me trampolinë në jetën politike, publike.
Ata janë thesari që do kërkuar!
Nuk është e vërtetë që këtu nuk ka. Unë takova Anabel, një 13-vjeçare zhivë, një Greta Thunberg e Shqipërisë.
Amos Muji Zaharia, një mendje e ndriçuar që është aty, jeton në Tiranë. E pa dyshim plot të tjerë, që nuk ka një milion ndjekës e rrezik as 10 mijë, por kanë botë e shpirt. Aq më tepër këtë vit, që Tirana është kryeqyteti europian i rinisë.
Njerëzit janë këtu, dielli dhe qielli më i bukur në botë bie mbi Shqipëri. Duhet vetëm pak orientim, të mos ndjekësh milionat, në të gjitha kuptimet, por t'i japësh jetës një çmim dhe vendit ku jeton kuptim! Nise tani, lëre celularin dhe shijoje bukurinë e të qenit gjallë dhe me njerëzit që do sonte.
Gëzuar Vitin e Ri 2022!
*Ndalohet ribotimi i Rubrikës 25 rreshtat e Mirës. Na kontaktoni në email [email protected]