25 Rreshtat e Mirës

Martini, dëshmori i një shoqërie pa busull

Martini, dëshmori i një shoqërie pa busull

Unë kam një nip 10 vjeç, Drin quhet.

Para disa kohësh u kthye në shtëpi pa telefonin. Sot e kësaj dite nuk e zbuluam nëse e humbi apo dikush ia mori dhe ai as nuk denoncoi tek prindërit.
Duket diçka e vogël, por dhuna nis nga një komunikim, nga një frikë e vogël. Dhuna nis nga një fjalë e fjala pastaj bëhet vrasje.

Martini është dhimbja e çdo njeriu sot në Shqipëri. Debati se ku u vra ai, brenda apo jashtë oborrit të një shkolle, është thjesht një verbëri. Përgjegjësia bie mbi të gjithë. Mbi mua dhe ty që po e lexon, mbi shoqërinë, shokët, shoqet, mësuesit, prindërit, median, politikën.

Politika e këtyre ditëve në vend që të tregojë shqetësim dhe angazhim duket më shumë e shqetësuar në distancimin nga ngjarja. Politika do të duhet të revoltohet për këtë ngjarje dhe nisja e një strategjie serioze për brezin që rritet në Shqipëri të jetë emergjencë kombëtare. Kjo është një plagë që nuk shërohet me mbylljen e dy dritareve të rrezikshme si TikTok apo SnapChat.

Ndërsa mendojmë sesi të ndërtojmë kulla dhe sheshe, një Shqipëri të pashme turistike, kemi lënë pas dore arkitekturën e njeriut të sotëm. Të shqiptarit të sotëm. Shoqëria po bëhet agresive, e pamundur, e paqartë. E lodhur dhe e mpirë nga oqeani i informacioneve me sherr e dhunë.

Mungon thelbësisht struktura e menaxhimit të sjelljeve në ambiente shkolle apo pune. Nuk ka norma dhe as limite të etikës në komunikim, askund. Dhe këtë e dimë të gjithë. Jemi të ashpër, jo nga dielli, por nga mënyra sesi drejtohemi, edukohemi, ndërtohemi rrjedhimisht.

Kush duhet të ndërhyjë? Trajneri i kombëtares, Brukseli apo Amerika? Ky është halli ynë, dhe më i madhi si shoqëri. Jeta dhe mentaliteti i brezit të ri.

Nga ana tjetër, prindërit sot janë më shumë se kurrë larg fëmijëve të tyre, edhe mësuesit ndaj nxënësve të tyre. Ky është një brez që komunikon me tabletin dhe TikTok-un, dhe shembullin agresiv që nuk mungon sa del nga shtëpia në rrugë. Është një brez pa busull dhe pa orientim. Kudo ku udhëtoj në vende të zhvilluara e shoh me admirim thjeshtësinë e brezit të ri. Që nga veshja. E shoh edhe me fëmijët e emigrantëve që ju shijon Shqipëria në verë, pa rregulla dhe me petulla. Po kjo nuk duhet të jetë Shqipëria. Shqipëria që pret Big Brotherin dhe pret shokun në kthesë. Shqipëria e vajzave që shpërfytyrojnë rivalet, vajza që prodhohen nga kanalet kombëtare televizive në vend. E keqja nuk do mikroskop tek ne, fatkeqësisht.

Një anë tjetër…

Mësuesit menaxhojnë një brez që jeton në TikTok më shumë se në oborr të shkollës, më shumë se në tryezën e ngrohtë të së dielës në shtëpi, më shumë se në sporte.

Jemi larg njëri tjetrit dhe për fat të keq afrohemi vetëm kur duam ta vrasim njëri tjetrin, herë me fjalë, herë me media, herë me politikë, herë me SMS, e herë me thikë prej vërteti.