25 Rreshtat e Mirës

Çmimi i mendjelehtësisë

Çmimi i mendjelehtësisë

Nuk kam pasur kurrë një qëndrim të plotë për dënimin me vdekje dhe nuk është ky sot shënimi im. Është një shënim për jetën dhe pasigurinë. Për sistemin që nuk funksionon dhe që në fakt jemi të gjithë të dënuar të jetojmë mbështetur në mendjelehtësinë e sistemit dhe tonën.

Ky është një shënim për monstrat si ai i Fierit, që kanë një monstër aleat: pakujdesinë totale, papërgjegjshmërinë që nis që kur nuk dënonen ose edhe kur e kryejnë dënimin dhe lirohen siç në 2012- ën Klodian Çalamani, i cili duhet të ishte ndjekur si rast. Kush e ndoqi? Asnjë!!! Pse u lejua të jetojë në një zonë të banuar, në një lagje normale? Këtu bie në sy shteti, në ditët që një i çmendur bën një krim llahtar dhe nxjerr në pah gjithë dobësinë, amatorinë, korrupsionin dhe cektësinë me të cilën trajtojmë jetën tonë e të tjetrit.

I gjithë sistemi është një çalaman, jo Klodian sigurisht. Por çalon. Nëse në fshat ka ende socializim e njohje mes fqinjëve dhe një lloj sistemi që buron nga socializimi, në qytet, e sidomos kryeqytet, kjo po zhduket dalëngadalë.

Komshinjtë jo vetëm që sa vjen e njihen më pak por edhe kur denoncojnë, e bëjnë jo kur dëgjojnë dhunë por kur bëhen punime në banjon e komshiut, kjo më shumë për t’i prishur punë atij që rinovon shtëpinë. Jemi larg një shoqërie të sistemuar dhe të kontrolluar. Asnjë hallkë nuk punon dhe vetëm kur ndodh gjëma zgjohemi dhe shohim si përsëritet historia.

Një opinion i tërë publik i shokuar dhe një familje e dërrmuar nga humbja e fëmijës, siç nuk e sheh askush, as në ëndrrën më të keqe. Sot më shumë sesa për dënimin me vdekje, ne duhet të flasim për sigurinë e jetës tonë, që rrugës për në punë mos të kalojë një i çmendur të të fusë thikën, se ashtu ka parë një film mbrëmë. A ndodh? Ndodh kudo dhe mos e paçim fat! Por kur ndodh për të dytën herë, më shumë sesa dënim me vdekje duhet të kërkojmë përgjegjësit. Sot lufta është me ndëshkueshmërinë dhe sistemin që ndjek rastet me precedent. A kemi pyetur se çfarë u bë me historinë e vogëlushes që shkoi për vdekje në spital nga babai i dhunshëm? Para një muaji ishte po aq e rëndë kjo ngjarje e të tjera e te tjera, që dalin në skenë jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë botën, edhe në atë të zhvilluar njerëzit e sëmurë janë më të paparashikueshmit. Ndonjëherë edhe ndëshkimi tek ata çalon, edhe ndjekja e rasteve, por gjithsesi sistemi i ka dy a tre shtylla që mbahet.

Ngjarja tragjike e Fierit nuk të lë shumë të mendosh, veçse t’i urosh më të keqen një monstre: vdekjen! Është mallkim që vjen nga pështirosja, nga lemeria e lajmit dhe thjesht nga mendimi që kjo mund t’i ndodhë një fëmije, jo në Afrikë po në Fier, mund t’u ndodhë edhe të afërmve, të kalon si ujë i ftohtë në palcë.

Por në fund nuk i tremb dënimi me vdekje të sëmurët e aq më pak nuk parandalojmë fëmijë të tjerë që dhunohen e vriten. Të sëmurët mendorë duhen mbyllur në spitale psikiatrike. Dikush tha në një koment: të qe për ne, duhet për çdo derë një spital psikiatrik! E vërtetë është që s'mund të izolohen të gjithë në spitale, por gjurmimi dhe ndëshkimi janë një mjet që ka nevojë për një dorë të fortë.

Dyfish nëse ata kanë një precedent penal. S’mund të lihen vetëm në shtëpi e të dalin në rrugë, as të shëtisin në lagje.

Një vrasës me precedent nuk është fatkeqësi por përgjegjësi.

Po përsa kohë ne jetojmë në Big Brother, pothuaj shumica, politika, media, media sociale të gjithë, nuk flasim për problemet, por iu ikim atyre dhe pastaj kur vdes një fëmijë kujtohemi që jemi qytetarë. Edhe pse pas pak ditësh do harrojmë sërish, fatkeqësisht!

*Rubrika 25 rreshtat e Mirës nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Na kontaktoni në email: [email protected].