Nga Mira Kazhani/ Nuk di nga t’ia nis me shijen dhe forcën që më shoqëroi mbyllja e kësaj interviste me Mirza Alibegajn.
Me Mirzën më ka njohur portali Tiranapost.al! Ajo ishte dhe është një ndjekëse besnike dhe ndoshta prej kësaj simpatie, më besoi një rrëfim jete, nga ata që njerëzit ose nuk i thonë, ose i thonë me gjysma. Ky nuk është ‘rasti Mirza’! Me një golf të kuq, xhinse, flokët e shkurtër dhe të palyer, me disa thinja që e kanë bërë të duket stil, një pudër krejt të lehtë dhe rimel, e qeshur dhe me lehtësinë e hapave, u ul në karrigen përballë meje dhe vetëm zëri që po i dridhej pak me emocion ishte shenja që intervista filloi.
Unë e kam takuar vonë Mirza Alibegajn, siç ju thashë më lart, këto 5 vitet e portalit. Por e kujtoj atë në vitet 2004 e këndej tek “Capriccio” në ish-bllok. Bjonde, sharmante, veshur gjithnjë sport dhe me një të qeshur që kapte gjithë rrugicën. Janë vitet kur Mirza, baskebollistja e njohur kish lënë Greqinë, karrierën atje dhe zgjodhi të jetojë në Tiranë, edhe pse siç thotë ajo: - “Tani Tirana është zhvilluar shumë” - por atëherë kishte kontrast të madh me Athinën, - “megjithatë i thashë vetes dua të rri këtu”. Kështu tha e kështu u bë! Gjeti miq të rinj, punë të re ( pa e lënë basketbollin, tani është trajnere e ekipit të vajzave të Tiranës) me të cilët ndau ditë të bukura, por edhe ditët e vështira siç ishte një vit më parë lufta me tumorin në gji. Falenderimin më të madh e ka për ata!
Është ndoshta i vetmi njeri që kam takuar nga afër, që nuk shfaq një grimë pesimizëm. Të flet për dhimbjet apo takimet me doktorët, si të jenë gjëja më normale e jetës. Në fakt, të gjithë e dimë që është pjesë e jetës, por jo të gjithë dimë të merremi vesh me veten që duhet të luftojë. Nuk ka qarë asnjëherë! Ka kritikuar veten për neglizhencën, për atë kokrrizën e kalcifikuar në gji, marrë nga një goditje në fushë, me një bërryl. Më pas erdhi Covid dhe në skanerin për virusin ajo zbuloi “vizitorin e pakëndshëm”.
Një lloj fati në atë që po e quanin të gjithë fatkeqësi. Një mundësi e dytë! E njëjta si me Nikon simpatik që u rigjetën në një shans të dytë, në Facebook, pas 20 vjetësh. Ajo beson se rreth vetes ka një engjëll (unë mendoj që është karakteri i saj, por mund të jetë edhe punë engjëjsh).
Kur ajo ishte 23 vjeç dhe Niko athinasi, pak a shumë rreth një moshe, ishin pëlqyer me sy, por vetëm kaq.
Në 2019-ën jeta i takoi, por ditët e spitalit i bashkuan. E kanë kaluar çdo gjë me batuta dhe humor. Udhëtojnë dhe shijojnë jetën aq shumë, sa pyetja ime nëse do martohen gjendet e sfiduar: - “Njerëzit mund të jenë të martuar dhe të mos jenë afër. Ne jemi shumë afër!”
Niko do, që ta dini ju. Por Mirza është e qartë dhe dëshiron ta jetojë jetën e saj siç ka bërë gjithmonë në mënyrën e vet, sportive, e rrjedhshme, pa u bërë romantike, melodramatike, apo konvencionale!
Gjatë bisedës me të ndjeva sikur hodha edhe vetë një hap të brendshëm. Nuk pata frikën që shpesh s’dimë si t`ia sqarojmë vetes. Dhe padyshim ndjehem me fat që po e ndaj me lexues të tjerë të TIP.
Disa njerëz jetojnë sa dhe si të duan vetë! Efkaristo poli Mirza!
Intervistën e zbardhur e gjeni në linkun më poshtë:
*Ndalohet ribotimi pa lejen e editorit të Rubrikës "25 rreshtat e Mirës". Na kontaktoni në email [email protected]