25 Rreshtat e Mirës

Një lexim “sipërfaqësor” për fitoren e Giorgia Melonit

Një lexim “sipërfaqësor” për fitoren e Giorgia

Nga Mira Kazhani/ Sot, një ish-gazetare dhe një politikane që e ka nisur betejën politike që në moshën 15 vjeç, u bë kryeministrja e parë grua në Itali. Në fakt, më shumë se një fitore “me tema me gra”, Meloni ka futur në ankth BE-në apo edhe Perëndimin (të gjitha mediat kanë portretin dhe programin e saj si kryelajm) për politikat ekstreme që ajo pritet të bëjë e nëse do t'ia dalë t’i realizojë. Sepse kur vjen në pushtet, përvoja na ka treguar (rasti Tsipras) që ndryshon gjuha. Fratelli d’Italia, lëvizja e të djathtës ekstreme, me në krye Giorgia Melonin, ka korrur në zgjedhjet e së dielës një fitore të thellë. Ajo ka marrë vota sa e gjithë e majta bashkë, dhe ka diferencë po ashtu me aleatët e saj, partinë e Berlusconi dhe të Salvinit.

Si ia doli Giorgia Meloni?

Nuk dija asgjë për të dhe vëmendja ime për fushatën në Itali nisi pikërisht me Melonin. Pra, ajo kishte këtë forcën magnetike që të tjerët s'e patën: të të shfaqej në screen-in e celularit!

Çfarë po bënte ajo që i kishte bërë për vete italianët dhe kish trembur establishmentin? Në fakt, përpjeket e sforcuara të këtij të fundit e ndihmuan më shumë politikanen e rrezikshme, me një stil luftarak, me dritëhije fashiste dhe premtime që u shkuan në palcë italianëve të lodhur edhe nga pandemia, të cilët panë me sytë e tyre dhe me jetët e humbura, se sa vetëm i lanë ata që sot u jepnin mend. Italianët janë popull me histori, kanë mijëra vjet art e politikë dhe nuk harrojnë shpejt.

Shoqëria italiane mund të jetë edhe e vetëdijshme për bombën Meloni, por ata kanë bërtitur me këtë votë se u lodhën me kryeministra teknikë apo se nuk mjafton të jesh thjesht intelektual. Psh Enrico Letta mund të jetë një profesor i mirë, por tregoi se nuk ishte për atë punë.

Uria e Italisë për politikanë dhe jo thjesht për bankierë apo shkrimtarë e studiues, (se Italia nuk ka tema me kriminelë në parlament) tregon edhe njëherë se politika është një profesion po aq i vjetër dhe se njerëzit duan udhëheqës që nuk iu bëjnë filozofi, por iu çojnë para luftën dhe iu flasin gjuhën e tyre. Mesazhi ka rëndësi. Meloni kishte botën dhe median kundër. Por kishte mesazhin dhe flakën.

Giorgia Meloni ka kthyer një faqe historie. Italianët duan të qeverisen nga politikanë që iu dhembin këmbët nga rruga e gjatë.

Meloni e ka nisur në moshën 15-vjeçare, në një parti ku askush nuk e qaste, siç thotë ajo, edhe nga mbipesha. Më vonë ia ka dalë hap pas hapi të ngjitet edhe të dobësohet duke bërë vrap. Vetëm për pushtetin s'ka nxituar. Ka pritur. Ka duruar opozitat e gjata, nuk ka ndarë pushtet por eci e vetme për në pushtet. Një tjetër mësim është edhe se lodhja me establishmentin mund të çojë deri në ekstremin e Melonit.

Për të tjerat siç thonë italianët “dai tempo al tempo”