25 Rreshtat e Mirës

Nuk ta mëson njeri jetën

Nuk ta mëson njeri jetën

Në ditën e Shëndetit Mendor, po mendoja se cilat ishin gjërat që do kisha dashur t’i kisha ditur kur isha më e re, kur jeta në disa çaste të bëhet lak në fyt, herë si ankth, herë si pasiguri, herë si vulnerabël.

Brezi im vjen nga një kulturë e disiplinës, i Jo-së dhe jo i Po-së për çdo gjë, siç sot. Ne vijmë nga dhuna ( jo domosdoshmërisht fizike) si komunikim në shkolla, ku mësuesit i patëm frikë, ku prindërit i patëm frikë, ku çdo gëzim e rritëm brenda me frikë. Do kishte qenë mirë të ishte ndryshe, por edhe sot, kultura e Po-së më duket kaq e dhimbshme, edhe pse në anën tjetër. Liria dhe komforti janë po kaq paralizuese për njeriun. Dhe sekreti duket se është tek një ekuilibër në mes, që gjendet vetëm vetë nga njeriu, gjatë rrugëtimit të jetës.

Nuk ta mëson askush artin e të jetuarit mirë me veten dhe të tjerët. Të ndihmon një prind, një psikolog, një mik, një mësues, por njeriu është kapiteni i vetes.

Eksperienca jonë jetësore na ndihmon.

Nga përvoja ime, zgjidhjet janë tek zgjedhjet tona të përditshme. Tek njerëzit që zgjedhim të rrimë, të hamë, të flemë, të flasim sidomos.

Të themi Po apo Jo në çastin e duhur është një mrekulli, por ndodh të ngatërrohesh dhe duhet me e besu se asgjë nuk është fundi i botës. Ka gjithmonë një ditë të re. Këtë duhet ta besojmë të gjithë. Sa herë e kam besuar, jeta ime është bërë më e mirë. Kur e kam injoruar, ajo është komplikuar.

Uroj që të gjithë ta dimë se asnjëri nga ne nuk eshtë aq normal sa ç`e pandeh veten. Por kjo është e bukura e jetës tonë, sepse normaliteti nuk ekziston, është një mit.

Jemi të gjithë duke kërkuar ekuilibrin çdo ditë. Të gjithë në kërkim të ‘Joie de vivre’.

Ju përqafoj të gjithëve

Mira e podcastit