Nga Mira Kazhani/ Kur u ndava me të, lexova në telefon një mufkë të një ministreje të re dhe i thashë vetes, po sikur të ishte djali që sapo kisha intervistuar, me kokën plot, me një temperament sportiv, i pashëm, i kristalizuar, ministër?!
Kur takova Amos Muji Zaharinë forcova bindjen se këtë qytet boll ta gërvishtësh dhe gjen njerëz të jashtëzakonshëm. Siç thotë dhe Amosi "Tirana është një minierë ari". Ai e ka për nga historitë burim për filma, por unë do të thoja për nga njerëzit, burim për shoqërinë.
Ishte një intervistë që më zgjoi pyetje më shumë për realitetin tonë pasi hoqa mikrofonin.
Pse janë strukur njerëzit që kanë se çfarë thonë, ose pse i kanë braktisur elitat politike?!
Kur Amos Zaharia do e lexojë këtë do qeshë ose do bëjë atë mimikën që e ka shpesh në intervistë shoqëruar me një pfff, dhe mirë e bën. Nuk është koha e mendjeve plot, siç thotë ai. Teoria e tij pse çdo gjë po bëhet kaq sipërfaqësore dhe komerciale, ka të bëjë me një lodhje me intelektualizmin kudo në botë.
“Një intelektual nuk gjen dot gëzim në gjëra të vogla sepse i peshon koka më shumë se të tjerët” - kështu sipas Amos, njerëzit kanë zgjedhur të mos stërmundohen dhe ta marrin jetën horizontalisht dhe të gajasen me të.
Në intervistën me Amos Muji Zaharinë u gjeta kapur në befasi në një mënyrë, sepse nuk fola thjesht me një aktor të talentuar, por me një djalë me botë. Dikush do thotë: Po i biri Yllka Mujos, çdo ishte tjetër? Ka plot raste që fëmijët nuk rezonojnë me vlerat e prindërve dhe anasjelltas.
Ai jeton në apartamentin e trashëguar nga mami, Yllka. Kur të jetë 60 vjeç jetën e imagjinon në një shtëpi të errët me një bibliotekë të madhe. Nuk ka zhurma fëmijësh në planet e tij, por as ndonjë shtëpi me pishinë.
I pëlqejnë shumë librat. Edhe emrin kur ka qenë në barkun e nënës e ka marrë nga një libër, nga një prej më të famshmëve në botë, Biblës.
Edhe macen me të cilën jeton tani e ka pagëzuar me emrin Kalipso, teksa lexonte “Odisenë”.
Amos-i është një shpirt i bukur, një djalë që di të qeshë me veten dhe të tjerët, që di çfarë pret nga jeta.
Ndoshta nga të rrallët fëmijë që në divorcin e prindërve gjeti më shumë gëzim sesa dramë. Prej tij mora përgjigjen që shpresoj ta lexojnë ata që e kanë jetuar apo po e jetojnë një divorc në familje.
“Nuk e kam çarë kokën fare. Madje do thoja që e kam shijuar. Kisha dy lagje, dy shtëpi, kisha më shumë variacion në jetën time”.
Politika nuk i intereson, por ai politikës duhet t’i interesojë sidomos për faktin që thjesht një bibliotekë me libra aspiron të ketë në shtëpi.
Ai, është i pasur. Ka qenë i tillë që kur mori emrin e një profeti. Është aq i pasur sa edhe macja e shtëpisë ka një emër nga biblioteka e tij. Dhe njëkohësisht ka aftësinë të të shfaqet po aq hokatar, ironik dhe me këmbë në tokë.
E do Shqipërinë, por analizën për shoqërinë e ka hidhësisht të vërtetë.
“Jemi popull në gjumë që as vuajtja me sa duket nuk na bën derman”.
Sheh me trishtim që në 30 vite shqiptarët nuk kanë mundur të ndryshojnë dëshirat, dashurinë, duartrokitjet.
Unë i them që përgjegjësia është e indiferentëve, e njerëzve me vlera si Amos që janë tërhequr, por ai më sfidon me një analizë të saktë. E keqja nuk i vjen këtij vendi aq nga politika dhe indiferentët, sa i vjen nga ata që ende besojnë 30 vjet prapë e prapë të njëjtët njerëz.
Ç`t`ju them?! Përveçse të kthejmë kokën nga njerëz si Amos!
Ndiqe të plotë intervistën me Amos Muji Zaharia
*Rubrika 25 rreshtat e Mirës nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Na kontaktoni në email: [email protected].