Çështja e Detit në Hagë, Zaganjori: Vendim i mirë, por duket e parakohshme
Kryeministri Rama dhe ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias kanë rënë dakord që çështja e kufijve detarë t’i besohet Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.
Për Profesorin shqiptar të së Drejtës ndërkombëtare Xhezair Zaganjori duke vendim është i mirë, por duket i parakohshëm”.
Në intervistë për 'Zëri i Amerikës', Zaganjori i cili ka qenë relator i çështjes së marrëveshjes së detit më Greqinë në vitin 2009, në Gjykatën Kushtetuese, shprehet se sipas tij “është shumë shpejt për të nisur një procedurë të tillë”.
Ai tregon shembullin e mosmarrëveshjes mes Kroacisë dhe Sllovenisë për ndarjen e hapësirave detare në Gjirin e Piranit, ku dërgimi çështjes në një gjykatë arbitrazhi “është dashur të kalojë fillimisht përmes miratimit respektivisht me referendum në Slloveni dhe në Parlament, në rastin e Kroacisë, sepse sovrani duhet ta dijë se përse bëhet fjalë. Cilat janë pretendimet konkrete të palëve dhe ku e përse lind mosmarreveshja apo konflikti mes tyre që shtron nevojën për të shkuar në një mekanizëm ndërkombëtar”.
“Këtë – shpjegon zoti Zaganjori - kërkon në fakt edhe vetë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, pra Gjykata e Hages. Ajo duhet të ketë marreveshjen mes palëve për gjykimin e konfliktit, ku të përcaktohen qartësisht pozicionet e palëve si dhe pyetjet konkrete të cilave ajo duhet t’i kthejë përgjigje. Përndryshe – nënvizon Profesor Zaganjori - nuk ka se si ta pranojë kërkesën e tyre. Ajo nuk është dhe nuk mund të jetë një instrument për të shkarkuar ngarkesat politike e "patriotike" apo konfliktet e brendshme ose të jashtme të palëve”.
Zaganjori është i mendimit se “duhet bërë e qartë ku qëndron problemi dhe ku dallojnë palët në qëndrimet e tyre, e nëse nuk ka rrugë tjetër, ky interpretim i ndryshëm i Konventës, me marrëveshje mes palëve i paraqitet Gjykatës.
Nga ana tjeter – nënvizon Profesor Zaganjori - duhet ditur se për cilën hapësirë detare bëhet fjalë, pasi sipas tij është e diskutueshme çështja e Shelfit Kontinental dhe Zonës Ekonomike Ekskluzive, por jo edhe ajo e ujërave territoriale në zonën e Kanalit të Korfuzit.
Për këtë çështje – thekson ai - besoj se flitet qartësisht edhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese”.
“Sidoqoftë, le të presim një informacion më të plotë e zyrtar nga të dy palët”. / Intervista në VOA/