Atentati tek ‘Vasil Shanto’/ Ministri Lleshaj bën deklaratën e fortë: Policia dështoi!

Policia e Shtetit ka dështuar në parandalimin e atentatit të sotëm tek ‘Vasil Shanto’. Ajo që e bën më domethënëse këtë deklaratë është fakti që doli nga goja e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj.
“Duhet ta pranojmë se policia e shtetit ka dështuar në parandalimin e kësaj ngjarje. Këto janë ngjarje që kanë një parahistori. Është iluzore të pretendojmë se do të parandalojmë të tilla gjëra se do ishim i vetmi vend në botë që do e bënte këtë”, tha Lleshaj.

Ai u shpreh se policia gaboi në moment të fundit në zbulimin e atentatorit të vrasjes së Kastriot Reçit, vrasja e të cilit në janar të këtij viti mbetet ende pa një autor.
“Nuk duhet të bëjmë lidhje, pasi ende ngjarja është e pazbardhur, por kam thënë se jemi shumë afër. Kishim një pistë, por në momentin e fundit, devijoi. Të mos bëjmë hetim publik për ngjarjet”, tha ministri.
Kujtojmë se Lleshaj është shprehur javën e kaluar se do ta lërë postin e ministrit, të cilin sqaroi dje se do ta mbajë deri në fund të këtij mandati.
*Deklarata u bë në emisionin ‘Open’.