Aktualitet

Ngrihet Task-Forca për masat ndaj Covid/ Rama tregon pse u mor vendimi për gjobat, sulmon dhe Metën

Ngrihet Task-Forca për masat ndaj Covid/ Rama tregon pse u mor vendimi

Është ngritur Task-Forca me inspektorët të cilët do të merren me inspektimin në terren për zbatimin e masave anti-Covid, ku një prej tyre është maska e cila nga e enjtja e kaluar është kthyer me detyrim në çdo ambient, në të kundërt, do të ketë ndëshkim me gjobë, me një shumë prej 30 mijë lekësh të vjetra që do pasqyrohet tek fatura e dritave.

Gjatë prezantimit të Task-Forcës ku Rama shoqërohej nga ministrja Manastirliu, tha se maska duhet të mbahet nga të gjithë, për të shmangur një mbyllje të dytë. Ai tha se task-forca nuk është për të vënë gjoba, se për atë janë policët, por për të sensibilizuar!

Ngrihet Task-Forca për masat ndaj Covid/ Rama tregon pse u mor vendimi

Rama një moment ndalet tek presidenti Meta, për çështjen e gjobave: 

Ne aplikojmë gjoba prej ditës së parë. Kemi vendosur një gjobë për maskën dhe çohet, - ndjesë se nuk do të duhej të ishte subjekt i një komunikimi të tillë, Presidenti i Republikës – Presidenti i Republikës e flet për gjobën për maskat si shantazh ndaj lirive dhe të drejtave të njeriut. Sepse për të, që vetëm President i Republikës nuk është, nuk ka rëndësi, fare, asgjë tjetër, përveçse si të helmojë dhe të dëshpërojë popullin e vet, në mënyrë që kur të vijnë zgjedhjet, të mbledhë ç’të mundet për atë Sh.p.k-në e tij të falimentuar e të degraduar nga krimi dhe nga dëshpërimi. Duam apo nuk duam ne, kjo është luftë. Nuk e kemi zgjedhur ne, na ka zgjedhur. Si mund të thuash shantazh ndaj lirive e të drejtave të njeriut? Si mund të bësh karshillëqe të tilla, sikur je në pyll?

Ai krahasoi gjobat në vende si Britania dhe Italia me Shqipërinë: 

Ndërkohë që këtu nuk luhet. Imagjinoni Mbretëreshën e Anglisë të dalë e të thotë që gjoba për maskën, që në Britaninë e Madhe është nga më të lartat, është shantazh ndaj lirive e të drejtave të grigjës sime. Imagjinoni të dalë Presidenti i Francës, imagjinoni të dalë Kancelarja, imagjinoni të dalë Presidenti i Gjermanisë, imagjinoni të dalë Presidenti i Italisë. Në ndërkohë që sot, gjoba në Neë York shkon deri në 15 mijë dollarë për shkelje të rregullave të vendosura e për mos vendosjen e maskës aty ku maska tanimë është e detyruar e kur vetëm kur vrapon, mund të heqësh maskën e po të kapi policia si vrapues që je duke ecur, merr gjobë deri në 15 mijë dollarë. Në vendet e Europës shkon mesatarisht 1000 euro. Gjobat që shkojnë deri në ekstremet si ai që u thashë, një çift që puthen në një park ku nuk ka njerëz dhe marrin gjobën se nuk kanë të njëjtën adresë, në këto vende përdoren si mjet disiplinimi represiv, sepse kjo është luftë.

Kryeministri tregon se gjoba 3 mijë lekë u vendos si një shtysë për të rritur sensibilizimin:

Ndërsa në Shqipëri, gjoba 3 mijë lekë, më shumë sesa një mjet represiv disiplinimi, është një shtysë për të rritur sensibilizimin. Në fund të ditës, edhe kjo vlen e të gjitha mjetet duhen përdorur. Në cilën luftë mundet që burimet e informacionit të çorodisin dhe të torolisin njerëzit në këtë farë feje? Është e pamoralshme, është e paudhë, por kjo nuk ndodh vetëm këtu. Kjo ndodh kudo e duhet të jetojmë me këtë. Rrjeti juaj nuk është një rrjet për të vënë gjoba. E përsëris, të gjithë këtë luftë nuk e kemi parë si luftë ku shteti, qeveria duhet të turret ndaj qytetarëve për t’i vënë nën presionin e gjobës, por e kemi parë si një luftë të përbashkët, ku ne kemi detyrën tonë, çdo qytetar ka detyrën e vet individualisht e ku të gjithë së bashku duhet të bëjmë pjesën që na takon.