Aktualitet

Protestuan kundër ministrit grek, policia procedon Shpëtim Idrizin, Mesila Dodën e Boiken Abazin. Gjobiten edhe për mos vendosjen e maskës

Protestuan kundër ministrit grek, policia procedon Shpëtim Idrizin,

Policia ka proceduar penalisht 18 persona mes të cilëve kreun e PDIU, Shpëtim Idrizi, ish-deputeten Mesila Doda dhe përfaqësuesin e Vetëvendosje në Tiranë, Boiken Abazi për organizim dhe pjesëmarrje në tubim të paligjshëm.

Ata u grumbulluan sot në protesta përpara Ministrisë së Jashtme dhe kryeministrisë kundër vizitës së ministrit të Jashtëm grek në Tiranë, Nikos Dendias.

Protesta u shoqërua me tensione dhe përplasje mes policisë dhe protestuesve. Policia para se të ndërhynte për të shpërndarë tubimin, u ka bërë thirrje protestuesve që të shpërndaheshin, pasi po zhvillohej në kundërshtim me masat anticovid.

Njoftimi i policisë:

Organizuan grumbullim dhe manifestim të paligjshëm, procedohen penalisht 18 shtetas, 3 prej tyre organizatorë të tubimit, për veprat penale "Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe "Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë".

Gjatë zhvillimit të tubimit, Policia para se të ndërhynte për të shpërndarë tubimin, u ka bërë thirrje protestuesve që të shpërndaheshin, pasi po zhvillohej në kundërshtim me masat anticovid.

Në përfundim të veprimeve u proceduan penalisht 3 organizatorët e tubimit Sh. I., M. D., B. A. dhe 15 shtetas të tjerë.

Gjithashtu, në zbatim të Aktit Normativ, shërbimet e Policisë i kanë vendosur masat administrative përkatëse (gjobë), shtetasve që nuk kishin vendosur maskat mbrojtëse.

Policia e Tiranës apelon për të gjithë qytetarët që të zbatojnë me rigorozitet masat parandaluese anticovid dhe iu bën thirrje të gjitha subjekteve politke të mos organizojnë tubime dhe grumbullime duke shkelur protokollet e sigurisë në dëm të shëndetit të qytetarëve.