Shkarkimi i Edvin Shvarc nga Presidenti shkakton revoltë në rrjet!
Presidenti Bajram Begaj ka vendosur të shkarkojë një nga punonjësit historikë të Presidencës në 4 mandate, aktualisht me detyrën e drejtorit të Drejtorisë së Marrëdhënieve me Jashtë dhe median, Edvin Shvarc.
Nuk dihen arsyet dhe motivet e këtij shkarkimi, që ka krijuar një shije të keqe në rrjet, sidomos ndër gazetarë që e njohin më nga afër CV e plotë të Shvarc.
Ja disa prej tyre:
Blendi Fevziu: Me sa duket diploma amerikane nuk qenka e vlefshme sa ajo e Tiranës. Po a është diploma kaq e rëndësishme për një njëri që ka 20 vjet që është ikonë e atij institucioni?! Nuk e di! Di vetëm që Edvin Shvarc nuk do jetë më aty dhe shpresoj që s’do kthehet më mbrapsht në Nju Jork, sepse në pune apo i larguar, atë do ta marrë gjithnjë malli shumë për Tiranën. E do shumë Shqipërinë.
Andi Bejtja: Nuk e kisha menduar kurrë edhe në ëndrrën më të keqe, që një fund gushti, në vapën e Tiranës, kur vazhdojnë e marrin rrugën për të mos u kthyer më, jo vetëm infermierë, hidraulikë e kamarierë, por të gjithë ata që dinë dhe dy fjalë anglisht, gjermanisht apo greqisht, në kohën kur biznesmenët po kërkojnë punëtorë nga Banglandeshi, kur institucionet kërkojnë e kërkojnë më kot përkthyes profesionistë të certifikuar, kur njerëzit që njohin letrat e shtetit, protokollet janë me gishtat e dorës, të gjesh pa punë një shërbëtor të tillë të aftë e të ndershëm të Shtetit Shqiptar si Edvin Shvarc.
Esiona Konomi: Mund të jesh gjysmë mjek, gjysmë ushtarak apo tërësisht ushtar, po nuk ta kërkon njeri diplomën e të bëjnë President. Por nëse ke diplomë në Amerikë e jo në Shqipëri, nuk mund të vazhdosh të jesh punonjës në presidencë, edhe po të kesh 20 vjet eksperiencë. Edvin Shvarc është një prej shtetarëve më të rrallë që kam takuar në institucionet tona.
Beti Numa: Sot zyrtari në krye të shtetit që nuk më nxë goja ta quaj president kreu një krim. Por ndryshe nga sa këndon Bob Dylan tek këto vargje të së famshmes “Botë Politike” krimi e ka një emër dhe fytyrë: Edvin Shvarc! Por jam e bindur që Bajram Begaj nuk e ka dëgjuar këngën e njohur të kantautorit dhe nobelistit të famshëm. E aq më pak ta dijë se ajo është përkthyer në shqip një dekadë më parë nga Edvin Shvarc, përkthyesi i njohur i atit po aq të njohur Robert Shvarc.
Lutfi Dervishi: Rasti i Edvin Shvarc, që ka punuar mbi 20 vjet më 4 Presidentë, tregon se Presidenca ka hyrë në një fazë të re, kur njeriu mund të shkarkohet nga puna për... aftësi!
Edlira Prendi: Në vitet kur kam punuar si gazetare, Edvin Shvarc shërbente si Drejtor Komunikimi në Presidencë. Është ndoshta nga të paktët njerëz që të impononte respekt që në takimin e parë, pa arrogancë por me profesionalizëm, korrektesë dhe dashamirësi. I saktë, i përgatitur, i papërtueshëm, dinjitoz në gjithçka kërkon dhe përfaqëson një detyrë në institucionin më të lartë të vendit. Keqardhje për këtë vendim.
Olti Curri: Edvin Shvarc ti je shumë për Shqiperinë, familja nga ti rrjedh, fryma në të cilën je rritur dhe edukuar e kulturuar janë tepër për një lagje e varfer e paditur dhe të egër si kjo e jona. Ti je i rrallë edhe në bote, imagjino në një shtet teneqeje si ky i yni. Në heshtje me klas dhe finesë ia le turpin një shteti nje qeverie një presidence të tërë. Paç fat kudo që rruga jote do të vazhdojë.
Kush është Edvin Shvarc!
Edvin Shvarc është në profesion përkthyes, djali i përkthyesit më të çmuar shqiptar Robert Shvarc. Ai ka mbi dy dekada që punon në Presidencë, ku ka ndërruar katër krerë shtetesh dhe ka drejtuar disa drejtori, si ajo e Marrëdhënieve me Jashtë, Drejtoria e Komunikimit, Drejtoria e Protokollit, si dhe ka shërbyer si përkthyes zyrtar i katër Presidentëve, i pajisur edhe me certifikatën e sigurisë, më të lartë atë të NATO-s.
Nën gjurmët e të atit, Edvin Shvarc ka përkthyer po ashtu disa libra të autororëve të njohur botërorë si “Strehë nga Stuhia”, Bob Dilan, “Natë” dhe “Agim” nga Eli Vizel, tj..