Scriptorium

Kërcënimi që mendon Europa se po i bëhet nga feja!

Kërcënimi që mendon Europa se po i bëhet nga feja!

Disa politikanë konservatorë rinisin betejën e një Europe të krishterë si të ishin të kërcënuara vlerat perëndimore, sikur identiteti europian po sulmohet një identitet që nuk i përshtatet as historisë as shumëllojshmërisë së shoqërive europiane.

Europa nuk mund të përcaktohet si sinonim i Perëndimit. Rrënjët e historisë dhe civilizimit perëndimor – Athina, Roma, Jeruzalemi – nuk ishin europiane në kuptimin perëndimor të fjalës. Priremi të harrojmë që kultura dhe civilizimi perëndimor e kanë origjinën në Lindje. Civilizimet antike i përkasin lindjes dhe jo perëndimit. Antikiteti klasik dhe origjina e kristianizmit ishin mesdhetare, në kuptimin e përdorur nga Braudel. As grekët, as romakët nuk kishin një ide të qartë mbi identitetin europian, ide që lindi në Mesjetë, ndërsa në atë periudhë Roma ishte qendra e botës. Europa nuk përfaqëson Perëndimin as historikisht dhe as aktualisht. Në lashtësi, për fshatrat, ndarja mes veriut dhe jugut ishte më domethënëse sesa ndarja lindje, perëndim. Për shumë kohë, Alpet përfaqësonin një kufi gjeografik dhe kulturor shumë më tepër sesa Mesdheu, që ishte qendra e civilizimit. Kundërshtia mes lindjes dhe perëndimit u ngjiz rreth shekullit VII, kur Europa u pozicionua kundër Islamit, një pozicionim që zgjati deri në Mesjetë, në epokën moderne dhe deri në përfundimin e luftës së ftohtë.

Shtrirja e Bashkimit Europian deri në lindje ndryshon nga ato të mëparshmet; nuk është vetëm një shtim domethënës i shteteve anëtare por dhe një zdrukthim i kornizës së civilizimit. Me zhvendosjen e kufijve të Europës në drejtim të Rusisë dhe me mundësinë e Turqisë për anëtarësim, Europa shpërngulet drejt Azisë dhe bëhet gjithmonë e më shumë postperëndimore dhe policentriste, siç e shpjegoi shumë mirë Gerard Delanty. Në këtë mënyrë u tejkalua nga ¨Europa e vogël¨ e luftës së ftohtë. Shtrirja jo vetëm e zmadhoi gjeografikisht Europën, por e transformoi nga ana cilësore. Që prej vitit 1989, pas rënies së murit të Berlinit, u zhduk kundërshtia me Lindjen dhe nisi ndërtimi i një bote shumëpolare.

Nga ky këndvështrim mund të kuptohet më mirë përgjigja e duhur ndaj ¨rrënjëve të krishtera të Europës¨. Nëse identiteti i Europës nuk është i kodifikuar në një paketë kulturore, nuk mund të përcaktohet as si identitet fetar. Identifikimi i Europës me krishtërimin – që vjen nga Hasburgët dhe në atë kohë shërbeu për t´iu kundërvënë perandorinë osmane - nuk e pasqyron drejt pluralizmin fetar në Europë, por as nuk merr përsipër të shpjegojë kuptimin që feja ka pasur dhe ka në Europë. Problemi nuk qëndron në pranimin apo harresën e rëndësisë që ka patur krishtërimi si origjinë e Europës. Ky pranim nuk mund të jetë i drejtë nëse harrohet që edhe fe të tjera kanë ndikuar për të ndërtuar përbërjen e këtij identiteti. Ky pluralizëm ekziston si pasojë e historisë sonë dhe e përbërjes së shoqërive tona ku jetojnë sot më shumë se pesëmbëdhjetë milionë myslimanë. Por çështja themelore qëndron në faktin se asnjë kulturë ose fe nuk mund të përcaktojë përkufizimin e qytetarisë. Europës duhet t’i përshtatet një pluralizmi që nuk i referohet shumëllojshmërisë së feve po as shumëllojshmërisë së domethënies që ka feja për qytetarët e saj. Kjo përshtatje duhet të vihet në zbatim duke pasur parasysh bashkëjetesën mes besimeve fetare dhe shoqërisë me stilet dhe mënyrat e ndryshme të jetesës së saj.

Nëse mes këtyre vlerave, po të duhej zgjidhja një veçanërisht karakterizuese, unë do ta vija theksin tek thënia e Montesquieu-së që thoshte se Europës gjithmonë i ka interesuar opinioni i të tjerëve. Unë mendoj që kjo predispozitë për ta parë veten me sytë e të tjerëve është origjina e arritjeve tona më të mira dhe jo një mbrojtje e diçkaje që na përket ekskluzivisht.

Po sikur vlerat tona themelore të ishin një sërë zakonesh për t’u distancuar nga vetë identiteti? Reflektim, distancë nga vetvetja, kuriozitet, respekt, pajtueshmëri, vullnet për bashkëpunim dhe pranim janë disa nga cilësitë e identitetit por përndryshe nuk do ishte zhvilluar eksperimenti europian. Gjatë Krishtlindjes europiane festojmë gjera të ndryshme, por lumturia që dëshirojmë ka të bëjë me fatin që kemi për të jetuar kështu.

*Daniel Innerarity është profesor i filozofisë politike, kërkues shkencor në Universitetin Bask, dhe në Universitetin Europian të Florences. Ka dhënë mësim në Universitetin Sobborne Paris, London School of Economics, Universiteti Georgetoën. Revista franceze ¨Le Nouvel Observateur ¨ e përfshiu në listën e mendimtarëve më të mëdhenj në botë.

Kërcënimi që mendon Europa se po i bëhet nga feja!

Artikulli u shqipërua dhe u redaktua për TiranaPost.al nga Albana Murra.