Shuhet primabalerina e TKOB-së, Sekine Sharofi

Primabalerina e TKOB-së, Sekine Sharofi, është ndarë nga jeta në moshën 85 vjeçare.
Lajmi i humbjes së saj është njoftuar nga vajzat e saj, Mirela dhe Edlira Athanas me një postim të ndjerë në rrjetet sociale.
“Pushoi së rrahuri zemra e mamit tim. Ajo zemër me rrahje të fortë plot energji dhe dashuri! Këtë video ia kam dedikuar për ditëlindjen e saj në 2017, vetëm pak përpara se të fillonte sëmundja e saj e gjatë. Nuk kam fjalë për dhimbjen që ndjej. Por jeta, shpirti, pasioni i saj, mënyra se si ajo krijoi art, mbajti familje, dha dashuri më jep forcë në këtë moment. Të dua deri në pafundësi mami im e shtrenjtë. Je dritë dhe yll që nuk mund të shuhet. Prehu në paqe!”, shkruan Mirela.

Me një galeri të pasur rolesh kryesore, primabalerina e TKOB-së do të mbahet mend për shfaqjet si: “Laurencia” nga Alexander Krein, “Zhurale”, nga Farid Jarulin, “Para stuhisë” nga Çesk Zadeja, “Cuca e Maleve” nga Nikolla Zoraqi, “Halili dhe Hajria” nga Tish Daija, etj.