Filozofia Urbane

Dy fjalë për çikën e guximshme të Albana Osmanit

Dy fjalë për çikën e guximshme të Albana Osmanit

“Çika në betejë me inteligjencën artificiale” është romani i parë në letërsinë shqipe që në mënyrë të suksesshme shtrihet i tëri brenda zhanrit të fantastikës shkencore, por, në të njëjtën kohë, është edhe një ndër librat më të mirë dedikuar lexuesit të ri shqiptar. Dhe e bukura është se, si pak më i madh në moshë, nuk u ndjeva i përjashtuar nga bota e këtij libri, për më tepër për një çast isha xheloz pse në rininë time nuk kisha një libër të tillë. E lexova me një frymë dhe nuk mund të them gjë tjetër pos: Albana, bravo!

Secili prej nesh mund të diskutojë për gradacione të caktuara të stilit apo edhe të ndonjë detaji tërësisht subjektiv, por nuk ka asnjë dyshim që ky roman e fut letërsinë shqipe në mesin e atyre letërsive botërore që krijojnë brenda të gjitha zhanreve. Zhanri i fantastikës shkencore, themeluar nga vizionari Zhyl Vern, nuk është një zhanër i ri në letërsinë botërore, por në letërsinë shqipe ky zhanër është anashkaluar. Kjo mbase edhe për shkak të komplekseve tona si popull, mbi të gjitha kompleksit të inferioritetit se shqiptarët e vegjël dhe të varfër nuk mund të kenë ide që shtrihen përtej horizontit të realitetit të njohur fizik. Albana Osmani e ndryshoi këtë gjë dhe suksesi i librit të saj do të duhej të na gëzonte të gjithëve.

Lufta e çikës kundër inteligjencës artificiale, si një koncept sa kreativ ashtu edhe të frikshëm, bart brenda vetes një botë të tërë figurash dhe mesazhesh që komunikojnë direkt me shumë detaje e fenomene nga e përditshmja e marrëzive tona. Por zbulimi i tyre është pjesë e rrugëtimit personal të secilit lexues, prandaj nuk është e drejtë që unë të imponojë pikëpamjet e mia.
Lexuesi i ri shqiptar, por jo vetëm të rinjtë, kanë nevojë që të kenë heronjtë e tyre fantastiko-shkencor, madje në këtë fushë dukshëm jemi vonuar. Çika e Albanës futet guximshëm në botën e Alitas, Supervajzës e heroinave të tjera, dhe kjo gjë duhet të jetë një pikë reflektimi dhe inkurajimi për të gjithë artistët dhe mendimtarët e rinj shqiptarë që akoma ngurrojnë që të shpalosin idetë e tyre fantastiko-shkencore.

Jam shumë i vetëdijshëm që mbeturinat e kritikës marksiste, që akoma pretendojnë që janë pronarë të së vërtetës absolute, nuk pajtohen me këto mendime të miat, ndërkaq disa hiena të tjera, të zhytura thellë në pellgun e cekët të parëndësisë së tyre, në përpjekje për ta minimizuar suksesin e Albanës, suksesin e librit përpiqen t’ia veshin faktorëve të tjerë, tërësisht trivial (jo kjo, jo TV-ja, jo andej, jo këndej...), por këto dërdëllisje nuk janë asgjë tjetër pos grahmat e fundit të një mendësie që po vdes.

Debutimi i suksesshëm i Albana Osmanit si shkrimtare e fantastikës shkencore është kryekëput produkt i guximit të çikës së saj, e cila si shumë heroina të tjera gjithandej botës, lufton jo vetëm kundër të keqes që shihet, por edhe ndaj asaj që fshihet në zemrat e njerëzve. Luftë që tani bartet edhe te Albana, por edhe te çdokush tjetër që guxon të sprovohet në diçka të re.