Filozofia Urbane

Një muaj pa Klodianin!

Një muaj pa Klodianin!

Nga Albatros Rexhaj/ Të premten bëhet një muaj që nga vrasja e Klodian Rashës. Një ngjarje tragjike e tronditëse, për të cilën tani pothuajse nuk flet askush.

Vdekjen tragjike të Klodianit e kam përjetuar shumë rëndë, ngaqë mendoja se tashmë i kishim lënë pas ditët kur shqiptarët duhej të ruheshin nga policia. Por pothuajse aq rëndë kam përjetuar edhe atë që e cilësoj si protagonizëm tërësisht joetik - paradën snobiste të atyre që tragjedinë e familjes Rasha e kthyen në një arenë promovimi vetjak. Po ashtu, e kam përjetuar rëndë edhe përdorimin e zemërimit legjitim të ne të gjithë nga ana e anarkistëve të ndryshëm, të cilët u përpoqën ta shndërronin këtë vdekje tragjike në një mundësi për ta kthyer “logjikën” e rrugës në normë shoqërore. Po njësoj, në mos edhe më shumë, e rëndë ishte edhe ajo përpjekja fillestare nga eksponentë të ndryshëm për ta relativizuar vrasjen (jo kishte precedentë penalë, jo ishte gjetur një armë diku më larg, etj).

Në një debat te “Shqipëria live”, në TCH, menjëherë pas vrasjes, pata ngritur shqetësimin tim për këtë dukuri, duke thënë se, me këtë farë protagonizmi joetik, edhe vrasja e Klodianit ka rrezik të trajtohet si “çudia që zgjat vetëm tri ditë”.
Në të vërtetë, përderisa pakkush flet sot për Klodianin; përderisa asnjë organizatë e shoqërisë civile dhe asnjëri nga protagonistët arrogantë që patën pushtuar ekranet nuk është angazhuar me propozime konkrete për reformat e duhura në sektorin e zbatimit të ligjit; përderisa institucionet shtetërore nuk e kanë parë të arsyeshme të krijojnë një komision të brendshëm që do të rivlerësonte të gjitha procedurat e rekrutimit të pjesëtarëve të forcave të Rendit, pastaj një komision që do të merrej me nevojën e monitorimit të shëndetit mendor të pjesëtarëve të këtyre forcave e masa të tjera të ngjashme që një autoritet normal shtetëror do të duhej t’i bënte pa menduar dy herë; përderisa as opozita nuk e sheh të arsyeshme të merret me anën konkrete të këtij problemi, por u mjaftua me pak retorikë, sa për të qenë brenda hapit – të gjitha këto na tregojnë qartë se tashmë, në mjedisin shqiptar, edhe çudia më e madhe, qoftë edhe kur është fjala për tragjedi të rëndë, zgjat vetëm tri ditë, aq sa për ta bërë njëfarë parade në TV dhe për të fituar pak publicitet në rrjete sociale. Dhe e gjithë kjo nuk është vetëm e turpshme, por edhe brengosëse.

Nuk duhet të harrojmë për asnjë çast se, në vend të Klodianit, fare lehtë mund të ishte secili nga ne. Nëse si shoqëri nuk mësojmë nga këto tragjedi, nëse nuk jemi në gjendje ta përmirësojmë veten dhe institucionet që veprojnë e flasin në emrin tonë, nëse nuk jemi në gjendje t’i themi “mjaft” protagonizmit në kurriz të tragjedive të të tjerëve, nëse nuk mund t’i themi “mjaft” vesit të keq të secilit pushtet që shpëlahet me apologji mediatike, por pa e shoqëruar me asnjë veprim konkret (në këtë rast atë të nevojës jetike për të rikthyer besimin e qytetarit në policinë e shtetit), nëse nuk jemi në gjendje t'i themi “jo” anarkisë që nuk na çon askund, atëherë të gjithë ne, si brez dhe si shoqëri, kemi dështuar dhe, pa dyshim, historia do të na gjykojë.

Familjarëve të Klodianit iu shpreh lutjen time që të vazhdojnë të kenë forcë e durim, por edhe besim te drejtësia. Në mos te kjo e jona, atëherë te drejtësia e Krijuesit fuqiplotë.

Kurrë mos u harroftë kjo tragjedi!