Sulm me armë përpara një xhamie në Kaliforni, 5 viktima

Dy adoleshentë të armatosur hapën zjarr dje në Qendrën Islame të San Diegos në Kaliforni, duke vrarë një roje sigurie dhe dy burra të tjerë jashtë xhamisë dhe më pas i kanë dhënë fund jetës.
Shefi i Policisë së San Diegos, Scott Wahl, deklaroi se autoritetet lokale dhe FBI po e hetojnë sulmin ndaj xhamisë më të madhe në qarkun e San Diegos si krim urrejtjeje.
Megjithatë, deri tani autoritetet nuk kanë bërë publik një motiv të saktë apo një incident konkret që mund të ketë çuar në sulmin e armatosur.
Të gjithë fëmijët që ndodheshin në shkollën ditore brenda kompleksit të xhamisë janë gjetur të sigurt pas të shtënave, të cilat nisën rreth orës 11:40 sipas orës lokale.
Gjatë një konference për shtyp në mbrëmje, Wahl bëri të ditur se nëna e njërit prej autorëve kishte telefonuar policinë rreth dy orë para sulmit, duke raportuar se djali i saj, të cilin e përshkroi si me tendenca vetëvrasëse, ishte larguar nga shtëpia duke marrë tre armë dhe makinën e saj.
Sipas policisë, dy të rinjtë ishin të veshur me rroba kamuflazhi. Menjëherë pas njoftimit, policia nisi kërkimet dhe shtoi patrullimet pranë një qendre tregtare dhe shkollës së mesme të njërit prej adoleshentëve, si masë parandaluese, derisa erdhën telefonatat për sulmin në xhami.
Shefi i policisë refuzoi të japë detaje mbi përmbajtjen e një letre që, sipas tij, ishte gjetur nga nëna e të riut.
Sulmi ndodhi vetëm një javë përpara festës së madhe myslimane të Kurban Bajramit dhe pelegrinazhit vjetor të Haxhit në Mekë, në Saudi Arabia.