Dalin detajet e dasmës sekrete të Donald Trump Jr

Donald Trump Jr. dhe Bettina Anderson kanë kurorëzuar lidhjen e tyre me një ceremoni private në Bahamas, larg syrit të mediave dhe me masa të forta sigurie.
Dasma u zhvillua në Little Pipe Cay, një ishull ultra-luksoz në zonën e Exuma-s, i njohur për privatësinë absolute dhe frekuentimin nga miliarderë e personazhe të famshëm. Çifti kishte zgjedhur një ceremoni intime, me një numër të kufizuar të ftuarish dhe atmosfera tropikale dominonte çdo detaj të festës.
Edhe pse Bettina Anderson njihet për praninë e saj aktive në rrjetet sociale, deri tani ajo ka publikuar vetëm pak momente nga ceremonia. Në një prej postimeve, çifti shfaqte unazat e martesës me dedikime romantike “Forever yours” dhe “Forever mine”, ndërsa në një tjetër shihej një aksesor me mbishkrimin “Mrs. Trump”.
Sipas mediave amerikane, festimet kanë zgjatur disa ditë dhe kanë përfshirë aktivitete në det, shëtitje me varkë dhe mbrëmje private në ambientet luksoze të ishullit. Në ceremoni morën pjesë edhe anëtarë të familjes Trump, përfshirë Ivanka Trump, Eric Trump dhe Tiffany Trump.
Ndërkohë, Presidenti i SHBA-së Donald Trump nuk ishte i pranishëm në dasmë. Ai deklaroi se kishte zgjedhur të qëndronte në Uashington për shkak të angazhimeve shtetërore, duke i uruar publikisht çiftit jetë të lumtur.
Ishulli ku u mbajt ceremonia konsiderohet një nga destinacionet më ekskluzive në Karaibe. Akomodimi aty raportohet se arrin deri në dhjetëra mijëra dollarë për natë, ndërsa prona ofron vila private, plazhe të izoluara, spa dhe shërbim të personalizuar për të ftuarit.