Djali i themeluesit të Mango-s në pranga! Rihapet hetimi për vdekjen e babait të tij

Mango është përfshirë në një ngjarje tronditëse, pasi djali i themeluesit të kompanisë, Jonathan Andic, është arrestuar në lidhje me vdekjen e babait të tij, biznesmenit të njohur Isak Andic.
Jonathan Andic, 45 vjeç, u ndalua nga policia katalanase të martën, pas rihapjes së hetimeve për vdekjen e miliarderit të modës, e cila fillimisht ishte trajtuar si aksident.
Isak Andic humbi jetën në dhjetor të vitit 2024, pasi ra nga një shkëmb gjatë një ecjeje në malet Montserrat pranë Barcelonës. Në momentin e ngjarjes ai ndodhej me djalin e tij, megjithëse mediat kanë raportuar versione të ndryshme mbi praninë e familjarëve të tjerë.
Jonathan Andic ka mohuar më herët çdo përgjegjësi për vdekjen e të atit. Familja deklaroi për mediat se ai po bashkëpunon me autoritetet dhe se besojnë plotësisht në pafajësinë e tij.
Sipas raportimeve, hetimet u rihapën pasi autoritetet konstatuan mospërputhje në dëshminë e Jonathanit. Pas paraqitjes në gjykatë, atij iu vendos masa e ndalimit me kusht kundrejt një garancie prej 1 milion eurosh. Gjithashtu iu konfiskua pasaporta dhe u urdhërua të paraqitet çdo javë në gjykatë.
Isak Andic themeloi Mango-n në vitin 1984 në Barcelonë bashkë me vëllain e tij. Sot kompania operon me afro 3 mijë dyqane në mbi 120 vende të botës. Sipas Forbes, pasuria e tij vlerësohej rreth 4.5 miliardë dollarë në kohën e vdekjes.