Lajme nga Bota

Ish-Kryeministri bullgar Petkov akuzon Rusinë se fshihet pas rrëzimit të qeverisë së tij

Ish-Kryeministri bullgar Petkov akuzon Rusinë se fshihet pas rrëzimit

Ish-Kryeministri bullgar, Kiril Petkov, akuzon Moskën se fshihet pas mocionit të mosbesimit që rrëzoi qeverinë e tij pasditen e sotme në parlament. Gjatë debatit në seancën plenare ai ka përmendur 4 emra, mes të cilëve edhe ambasadoren e Rusisë në Bullgari, Eleonora Valentinovna Mitrofanova:

“Arsyeja e vërtetë për këtë votë mosbesimi janë katër persona,” tha Petkov. “Ishte nder për mua të drejtoja një qeveri që u rrëzua nga Peevski, Borisov Trifonov dhe Mitrofanova, ambasadore e Rusisë në Bullgari,” ironizon ai.

Petkov shprehet se beteja ende vazhdon: “Ky votim është vetëm një hap i vogël në një rrugë shumë të gjatë. Ajo që ata (opozita) nuk kuptuan ishte se në këtë mënyrë nuk mund ta fitojnë popullin bullgar. Unë premtoj se do të vazhdojmë këtë betejë për të fituar vendin tonë. Dhe një ditë do të kemi Bullgarinë pa njerëz të sunduar nga hija, pa mafia, një vend normal, një vend të suksesshëm evropian. Faleminderit!” , tha Petkov në fjalimin e fundit si kryeministër.

Ndërkohë të shumtë janë qytetarët që kanë dalë në mbështetje të qeverisë së sapo rrëzuar: “Bullgaria është sot në një udhëkryq dhe varet nga ne se cilën rrugë do të ndjekim. Ne do të zgjedhim demokracinë apo autoritarizmin, lirinë apo bindjen, guximin apo frikën. Ne duam të jetojmë në një shtet ligjor. Ne duam që lufta kundër korrupsionit të vazhdojë. Ne nuk duam zgjedhje të reja! Ne nuk duam GERB dhe MRF në pushtet”, thanë organizatorët e protestës.

Kiril Petkov u tha protestuesve se ata janë garantuesi që Bullgaria do të duket ndryshe pas zgjedhjeve të ardhshme.