Stil jete

Tre fjalët që mund t’ju ndihmojnë të kontrolloni zemërimin

Herën tjetër kur të ndiheni të pushtuar nga zemërimi, mos u përpiqni menjëherë të qetësoheni. Psikologët sugjerojnë një teknikë shumë të thjeshtë: emërtojeni emocionin që po përjetoni.

Si t'ia bësh?

Mjaftojnë vetëm tre fjalë: “Ky është zemërim.”

Kjo metodë njihet si “etiketimi i emocioneve” (affect labeling) dhe studimet tregojnë se mund të zvogëlojë intensitetin e ndjenjave të forta në vetëm pak sekonda.

Pse funksionon?

Sipas psikologes klinike Shannon Sauer-Zavala, kur i vendosni një emër emocionit, krijoni një distancë mes vetes dhe asaj që ndieni.

“Kur emërtoni një emocion, ai bëhet diçka që po përjetoni, jo diçka që ju përcakton,” shpjegon ajo.

Për këtë arsye, ekspertët rekomandojnë të thoni “Ky është zemërim” në vend të “Jam i/e nxehur.” Qëllimi është që emocioni të shihet si një gjendje e përkohshme dhe jo si identiteti juaj.

Një zakon i përhershëm

Teknika mund të përdoret jo vetëm për zemërimin, por edhe për ankthin, vetminë apo trishtimin. Mjafton të identifikoni ndjenjën dhe ta emërtoni: “Ky është ankth”, “Ky është trishtim”, “Kjo është vetmi.”

Psikologia Lizzie Cleary thotë se kjo është veçanërisht e dobishme për përballimin e dhimbjes emocionale, e cila shpesh kalon pa u vënë re.

Ekspertët sugjerojnë që fillestarët ta praktikojnë për një javë, duke emërtuar emocionet e tyre të paktën një herë në ditë. Nuk ka një mënyrë të gabuar për ta bërë dhe nuk nevojitet asnjë aplikacion apo mjet i veçantë.

Me kalimin e kohës, kjo praktikë mund t’ju ndihmojë të dalloni modele të përsëritura në emocionet tuaja dhe të kuptoni më mirë se çfarë i shkakton ato.

Sa më shpesh të emërtoni atë që ndieni, aq më shumë mësoni për veten.