Politikë

Kryeministri: Zvërnecin e vendos projekti, nuk negocioj asgjë veç një kriteri

Edi Rama duket i palëkundur në qëndrimin e tij për të mos lëshuar pushtetin dhe thotë se është i hapur për dialog, por vetëm mbi një kriter. Nuk bëhet fjalë as për dorëheqje dhe as për ndryshim të modelit të zhvillimit të vendit.

Rama thotë se vendimin do ta përcaktojë cilësia e projektit

"Halli është se kur unë i them këto, përgjigja juaj është nuk ka negociata. Unë nuk kam asnjë negociatë me ju, sepse nuk negocioj kontratën me ata që më kanë votuar. Ta bëjmë Shqipërinë një princeshë të turizmit bregdetar, këto nuk negociohen. Unë jam në dispozicion në çdo kohë, për mënyrën si të harmonizojmë mjedisin. Lidhur me fatin e zhvillimit në Zvërnec, do e vendosë cilësia e projektit. Ikni hijenave që iu janë mbledhur rrotull, se jeni të parët që do mbyteni në jargët e asaj urie për pushtet, që unë dhe socialistët e njohim nga shumë larg. E fshehin nën qeleshet apo flamujt që i hedhin në qafë.

Propozimi për protestuesit: Dialog vetëm për harmonizimin e zhvillimit me mjedisin

Nëse doni të mbroni vërtet Shqipërinë, mos ngatërroni drejtimin nga i vjen rreziku mjedisit, natyrës dhe Shqipërisë, por bashkojuni PS që ka nevojë për këdo që nuk bie dakord për çfarë nuk shkon, por që është gati t’i luftojë bashkë me ne gjërat për t’i bërë më mirë. Me ide, jo me britma, me propozime dhe me të ndenjurat ulur aty në punë, jo veç me video selfie dhe skërmitje, me Shqipërinë në zemër dhe mendjen në punë, jo Shqipërinë në gojë e smirë në zemër dhe hesape në mendje. Jam shumë i qartë që protesta është kthyer me natyrë politike, legjitime për këdo që do të ndryshojë Shqipërinë sipas qasjes së tij. Megjithëse në Vlorë e duan projektin dhe kanë hall se po u dëmtohet sezoni, forca të ndryshme hedhin në bulevard gurët dhe fshehin dorën. Njësoj si opozita këtu hedh kënetën e vet e deri te tabakatë që mbi taka, mbledhin ‘like’ duke ecur me pasqyrë përpara. Partitë e reja që u bënë të vjetra kërkojnë një copë aty në prurjen e re. Për të rejat dhe të rinjtë që besojnë vërtet se po bëjnë revolucion, kam simpati dhe jam i hapur të flasim, por mbetem mirëkuptues nëse nuk duan të flasin. Një gjë të jashtëzakonshme e kanë bërë, kanë pastruar zhulin e shoqatës së molotovarëve!

Rama: Djalli po kërkon të pengojë investimin në Zvërnec! Ç’na duhet që Kushner është hebre?

“S’duam ne turizëm elitar, se turizmi elitar nuk është për ne. E kundërta është e vërtetë, ne na duhet më shumë turizëm elitar, sepse çdo lek që vjen, është gati dyfishi i asaj që futet në ekonominë e vendit. Turizmi i masës ka qenë i shkëlqyer, sepse ka qenë ambasadori i asaj që flitet në gjithë botën. Por Shqipëria nuk mund të mbetet mbrapa, nuk është e thirrur që të shpikë rrotën, por të hapë portën. Historia e shqiptarëve është historia e njerëzve që përtej feve kanë Zot respektin për tjetrin, për mikun, për atë që është në nevojë, për atë që është në rrezik. Ishin myslimanët që u bënë mburoja e hebrenjve. Kjo është arsyeja pse Shqipëria duhet ta mbajë atë lidhje. Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut.Cili është djalli që po tenton të hyjë në mes nesh? Që po provon t’u lërë fëmijëve tanë në kurriz, diçka që ne duhet t’i mbrojmë? Cili është djalli që po pengon një investim turistik? Ç’lidhje ka Izraeli me investimin atje në Zvërnec? Dy investitorët kryesorë janë 2 vëllezër myslimanë nga Katari. Apo se dhëndri i Presidentit të SHBA-ve është hebre. Po pastaj? Kaq budallenj mund të bëhemi ne që të hedhim përpjetë atë që nuk hidhet dhe t’i bëjmë karshillëk dynjasë? Ne duhet t’i kemi marrëdhëniet strategjike me të gjithë”