Lajme nga Bota

Kina do të ofrojë ndihmë humanitare për Ukrainën

Kina do të ofrojë ndihmë humanitare për Ukrainën
Kryqi i Kuq i Kinës do të ofrojë ndihmë humanitare për Ukrainën, tha ministri i Jashtëm Wang Yi, ndërsa përsëriti thirrjen për vazhdimin e bisedimeve diplomatike. Gjithsesi ai theksoi se miqësia e Kinës me Rusinë është "e fortë" dhe perspektivat për bashkëpunim janë shumë të gjera.

"Miqësia midis dy popujve është shumë e fortë dhe perspektivat e bashkëpunimit në të ardhmen e të dyja palëve janë shumë të mëdha," tha Wang në një konferencë vjetore për shtyp ditën e sotme në lidhje me Rusinë.

Ai e përshkroi marrëdhënien Kinë-Rusi si "marrëdhënien dypalëshe më të rëndësishme në botë, në favor të paqes, stabilitetit dhe zhvillimit botëror".

Fjalët e Yi vijnë disa orë pasi kryeministri i Australisë, Scott Morrison, i kërkoi Kinës të denoncojë Rusinë.

Në një fjalim të gjatë për politikën e jashtme në Sydney, Morrison tha se Kina ka folur vazhdimisht për respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial.

“I takon Kinës, në këtë pikë kyçe të historisë, të tregojë se këto janë më shumë se vetëm fjalë”, tha Morrison, duke shtuar se “asnjë vend nuk do të kishte një ndikim më të madh në Rusi sesa Kina”.

Deri më tani, qeveria e Kinës ka mbajtur një qëndrim neutral, as nuk e ka dënuar dhe as e ka mbështetur luftën e Rusisë kundër Ukrainës. Por në fillim të kësaj jave, Yi sinjalizoi se Kina ishte gati të luante një rol në ndërmjetësimin e një armëpushimi.