Lajme nga Bota

Mbretëria e Bashkuar hap sistem online për ukrainasit që duan të aplikojnë për vizë

Mbretëria e Bashkuar hap sistem online për ukrainasit që duan
Sistemi i vizave në Mbretërinë e Bashkuar për Ukrainën do të bëhet virtual. Nga e marta e ardhshme shtetasit ukrainas me pasaportë ose kartë identiteti do të mund të aplikojnë për vizë në këtë mënyrë, pa pasur nevojë të vizitojnë një qendër aplikimi për vizë.

Ukrainasit, viza e të cilëve aprovohet në sistem, do të marrin një konfirmim me email që do t'i lejojë të hipin në avion, tren ose varkë, më pas do të marrin një vulë në pasaporta pas mbërritjes në MB, përpara se të japin të dhënat biometrike.

Sekretarja britanike e Brendshme, Priti Patel, tha:

"Nga e marta, ju njoftoj se ukrainasit me pasaporta nuk do të kenë më nevojë të shkojnë në një qendër aplikimi për vizë për të dhënë të dhënat biometrike përpara se të vijnë në MB.

Në vend të kësaj, pasi aplikimi i tyre të jetë shqyrtuar dhe të kryhen kontrollet e duhura, do të marrin njoftim të drejtpërdrejtë se janë të pranueshëm për skemën dhe mund të vijnë në MB.

Me pak fjalë, ukrainasit me pasaporta do të mund të marrin leje për të ardhur këtu plotësisht online nga kudo që janë dhe do të mund të japin të dhënat biometrike sapo të hyjnë në Britani.

Kjo do të thotë që qendrat e aplikimit për viza në të gjithë Evropën mund të përqendrojnë përpjekjet e tyre për të ndihmuar ukrainasit pa pasaportë."