Lajme nga Bota

Mbretëria e Bashkuar njofton 230 milionë dollarë shtesë në ndihmë të Ukrainës

Mbretëria e Bashkuar njofton 230 milionë dollarë shtesë

Kryeministri britanik Boris Johnson njoftoi një ndihmë shtesë prej 230 milionë dollarësh (175 milionë paund) për Ukrainën.

''Ky është momenti që miqtë e Ukrainës të krijojnë një koalicion të mbështetjes ushtarake humanitare, ekonomike dhe mbrojtëse për të siguruar që Putini të dështojë në këtë pushtim katastrofik," tha Johnson të hënën, ndërsa fliste gjatë një konference të përbashkët shtypi me homologët e tij holandezë dhe kanadezë në Londra.

Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe Holanda "qëndrojnë krah për krah" kundër pushtimit rus të Ukrainës, shtoi Johnson.

Në 12 ditët e pushtimit rus në Ukrainë, kryeministri britanik tha se është e qartë se presidenti rus Vladimir Putin bëri një "llogaritje të gabuar" duke nënvlerësuar Ukrainën.

“Ai ka nënvlerësuar ukrainasit dhe rezistencën e tyre heroike. Ai ka nënvlerësuar liderin e tyre dhe ka nënvlerësuar unitetin e Perëndimit”, tha Johnson.