'Në derën e kujt duhet të trokas që të më kthehet fëmija im?' pyetja që bën nëna e një prej ushtarëve rusë
Presidenti Putin u është drejtuar drejtpërdrejt nënave të ushtarëve që shërbejnë në Ukrainë, duke u thënë se e di sa të shqetësuara janë dhe u përpoq t'i qetësojë ato. Por disa nëna, gjyshe e motra kanë rrëfyer për BBC ankthin dhe dëshpërimin që ndjejnë për të dashurit e tyrë që janë në ushtri - të rinj që nuk e kishin idenë se çfarë po dërgoheshin të bënin.
Të gjithë emrat në historitë e mëposhtme janë ndryshuar
Kur Marina nuk mori lajme për nipin e saj për më shumë se një javë filloi ta telefononte. Në mesazhin e fundit që ai i kishte dërguar thonte se ishte në kufirin Bjellorusi-Ukrainë dhe së shpejti do të kthehej në shtëpi. Por pa asnjë lajm që atëherë, ajo ka frikë nga më e keqja.
"Unë telefonova njësinë e tij ushtarake, ata thanë se ai nuk ishte larguar nga Rusia. U thashë – ‘Po bëni shaka? Ai më kontaktoi nga Bjellorusia. Nuk e dini se ku shkojnë ushtarët tuaj?’ E mbyllën telefonin dhe nuk ma hapën më”.
Nipi i Marinës, Nikita, ishte fillimisht një rekrut. Burrat të moshës 18-27 vjeç në Rusi thirren në ushtri për një vit. Por Marina thotë se në ditët e para të shërbimit të Nikitës, përfaqësues të njësive ushtarake mbërritën në rajonin e tyre, me shpresën për të marrë rekrutë që të bëheshin ushtarë me kontratë, që të zgjasnin shërbimin e tyre ushtarak dhe të fitonin një rrogë.
“E bindën... I thanë mund të dalësh para kohe, do të kesh një rrogë të qëndrueshme, do të mësosh të ngasësh mjete”.
Nikita u bë shofer në një divizion të mekanizuar të këmbësorisë, por të ardhurat e tij nuk mjaftonin për një standard të rehatshëm jetese. Paga e tij mujore prej 18,000 rubla - 240 dollarë (180 £) para rënies së rublës - mjaftonte për të përballuar jetesën në Rusinë rurale. Ai i tha gjyshes së tij se nga ajo rrogë pritej të paguante uniformën dhe benzinën. Ai kishte akomodim falas në baraka, por nuk mund të duronte kushtet e këqija - nuk kishte ngrohje apo ujë të ngrohtë - kështu që duhej të paguante edhe qiranë, thotë ajo.
Është e vështirë të përcaktohet se sa e zakonshme është historia e Nikitës në Rusi, por shumë kompani ruse që ndihmojnë të rinjtë të gjejnë mundësi pune thonë se ushtria nuk shihet si një perspektivë tërheqëse.
Në mes të shkurtit, Nikita i tha gjyshes së tij se po lëvizte në kufirin Ukrainë-Bjellorusi "për ta ruajtur". Ai gjithashtu i tha se kishte dëgjuar se së shpejti do të ktheheshin në shtëpi.
Nuk ka pasur asnjë lajm tjetër prej tij që kur i dërgoi mesazh për herë të fundit më 23 shkurt - një festë publike ruse - për t’i thënë se ishte në një koncert. Ajo është e sigurt se i nipi nuk e kishte idenë se do të dërgohej për luftime në Ukrainë.
"Ai tha, 'Janë stërvitje, do të bëjmë dhe disa më shumë dhe pastaj kthehemi në shtëpi'," një frazë e përsëritur nga shumë të afërm të ushtarëve rusë me të cilët BBC kontaktoi.
Një grua tjetër, Galina, thotë se e kuptoi se djali i saj Nikolai ishte në Ukrainë vetëm kur motra e saj vuri re foton e tij në faqen e Facebook të shefit të forcave të armatosura të Ukrainës si i kapur rob. Shumë të rinj filluan këtë eksperiencë si rekrutë dhe më pas u bënë ushtarë me kontratë.
Galina thotë se për herë të fundit kishte folur me Nikolain një ditë para se motra e saj të shihte foton e tij, dhe ai i kishte thënë se njësia e tij ishte afër kufirit me Ukrainën.
"Nuk di çfarë të bëj. Mediat heshtin për faktin se djemtë tanë u kapën. Ose nuk e dinë."
E dashura e Nikolait thotë se ai u bë ushtar me kontratë dhjetorin e kaluar për të siguruar të ardhura për familjen e tij të ardhshme, pavarësisht kundërshtimeve të saj.
"Fëmija im nuk shkoi në Ukrainë me vullnetin e tij të lirë, komandanti i përgjithshëm e dërgoi atje," thotë ajo teksa pohon që për të rinjtë nuk ka mënyra të tjera për të fituar të ardhura të mira në zonat rurale.
Të jem sinqertë, nuk e kuptoj se për çfarë bëhet e gjitha kjo. Në vendin tonë disa njerëz nuk kanë çfarë të hanë, unë nuk kuptoj asnjë luftë dhe asnjë veprim ushtarak.
Në derën e kujt duhet të trokas që të më kthehet fëmija im?"
Historikisht, nënat e ushtarëve rusë kanë qenë kundër mënyrës se si ushtria funksionon dhe trajtohet, dhe kanë nxitur që autoritetet të jenë më të hapura për shifrat e viktimave.
Ata luajtën një rol veçanërisht të rëndësishëm në fushatat që morën vëmendje të gjerë kundër dy luftërave çeçene të Rusisë.
Por ligji i ri i miratuar javën e kaluar kërcënon këdo që shihet se përhap ato që qeveria i konsideron "pretendime false" në lidhje me veprimet ushtarake në Ukrainë dhe i dënon me 15 vjet burg.
Publiku rus është ekspozuar ndaj propagandës së fuqishme anti-ukrainase nga mediat shtetërore ruse. Ukraina është përpjekur ta kundërshtojë atë propagandë me një fushatë të fuqishme. Një linjë e quajtur "Kërkoni për veten tuaj" (Ishchi Svoikh në rusisht) u reklamua për herë të parë në ditën e tretë të asaj që Rusia e përshkruan si "operacion special ushtarak për çmilitarizimin dhe denazifikimin" e vendit. Një grup i ngjashëm në Telegram përmban foto të të burgosurve dhe viktimave rusë dhe inkurajon të afërmit e shqetësuar të kontaktojnë.
"Ky është gjesti ynë i vullnetit të mirë për nënat ruse," tha këshilltari presidencial ukrainas Oleksiy Arestovych.
Një postim i ngulitur në faqen e Facebook-ut të Ministrisë së Brendshme të Ukrainës i bën thirrje direkte nënave ruse që të shkojnë e të marrin djemtë e tyre dhe jep udhëzime specifike se çfarë të bëjnë.
“Ne, populli ukrainas, në ndryshim nga fashistët e (Presidentit rus) Putin, nuk bëjmë luftë me nënat dhe djemtë e tyre të kapur,” thuhet në postim.
Rusia më në fund publikoi shifrat e numrit të vdekjeve për luftëtarët e saj në pushtimin javën e kaluar, duke thënë se deri më 3 mars 498 trupa ruse ishin vrarë dhe 1,597 të tjerë u plagosën. Por Ukraina thotë se më shumë se 11,000 ushtarakë rusë janë vrarë, megjithëse kjo nuk mund të verifikohet.